Futboll

Përzgjedhësi i kuqezinjve tregon arsyet e humbjes nga Gjeorgjia

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Silvinjo, i dha meritat trajnerit të ekipit kundërshtar për lojën që zhvilluan ndaj Shqipërisë.

Kjo e fundit pësoi humbje minimale me rezultat 1-0 ndaj Gjeorgjisë, në kuadër të rrethit të dytë në Ligën e Kombeve. Shqipëria përfundon kështu dy ndeshjet e shtatorit me një fitore, atë ndaj Ukrainës dhe humbjen ndaj gjeorgjianëve.

“Një ndeshje ndryshe në aspektin taktik. I jap komplimente trajnerit dhe ekipit kundërshtar. Mendoj që barazimi do të ishte rezultat i duhur. Sa herë që kishim topin, kemi depërtuar brenda linjave. Por dallimi u bë pasi shënuan golin. Mendoj se kemi luajtur në mënyrë të ngjashme. Kemi humbur me një gol. I komplimentoj lojtarët, që kanë bërë ndeshje të mirë. Lojtarët kanë bërë më të mirën, por kështu shkoi ndeshja. Rezultat më i mirë do të ishte barazimi”, ka thënë Silvinjo, transmeton albinfo.ch.

Dy ndeshjet e radhës, Shqipëria do t’i zhvillojë në udhëtim.

Më 11 tetor takohet me Çekinë, ndërsa më 14 tetor është mysafire e Gjeorgjisë në Tbilisi.