Lajme

Përmbledhje e lajmeve më të fundit të Zvicrës

Sulmohet ligji i prostitucionit në Zvicër, pjesë të Cyrihut mbesin pa ujë të nxehtë; dhe më shumë lajme në këtë përmbledhje të ditës së premte.

Swisscom do të ndryshojë modelin e saj të abonimit, do të rrisë çmimet

Nga 24 korriku, telekomi më i madh i Zvicrës do të braktisë paketën e tij inOne Home, e cila përfshin telefonin, internetin dhe televizionin.

Ajo do të zëvendësohet nga një shërbim i ri i quajtur Basic Home. Por, duke qenë se ofron një internet me shpejtësi të lartë prej 50 Mbps në vend të 10 Mbps aktuale, kostoja e abonimit do të jetë gjithashtu më e lartë: do të rritet nga 50 franga në muaj, në 59,90 franga.

Kalimi në paketën e re do të bëhet automatikisht, kështu që kushdo që nuk dëshiron të paguajë çmim më të lartë të abonimit duhet të njoftojë Swisscom sa më shpejt të jetë e mundur.

Kombet e Bashkuara kritikojnë ligjin liberal të prostitucionit të Zvicrës

Reem Alsalem, raportuesja speciale e OKB-së për dhunën ndaj grave dhe vajzave, do të paraqesë sot raportin e saj vjetor në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Në të, ajo është veçanërisht kritike ndaj qëndrimit të Zvicrës ndaj prostitucionit, i cili jo vetëm është i ligjshëm në vend, por gjithashtu trajtohet si çdo industri tjetër shërbimi.

Alsalem tha se kjo qasje ka çuar në një “rritje të konsiderueshme të grave të huaja” të përfshira në prostitucion në vend, duke e quajtur Zvicrën një “shtet pimp” që përfiton nga taksat e vendosura ndaj punonjësve të seksit dhe shtëpive publike, transmeton albinfo.ch.

Në përgjigje, PROCORE, rrjeti kombëtar për të drejtat e punonjësve të seksit, kundërshtoi se prostitucioni, siç praktikohet në Zvicër, nuk mund të barazohet me dhunë dhe detyrim.

Një pjesë e Cyrihut ka mbetur pa ujë të ngrohtë

Për shkak të një dëmtimi të madh të tubacionit, në lagjen Höngg të Cyrihut nuk kishte ujë të nxehtë të premten në mëngjes dhe e gjithë zona u shkëput nga rrjeti i ngrohjes.

Ndonëse autoritetet bashkiake thanë se masat për riparimin e dëmeve “ishin duke u zhvilluar me shpejtësi të plotë”, banorëve iu tha të mos prisnin që furnizimi me ujë të ngrohtë të rikthehej të paktën deri të hënën.

Lidhja e trenit TGV midis Lozanës dhe Parisit ‘feston’ 40-vjetorin e saj

Shërbimi hekurudhor me shpejtësi të lartë nga Paris Gare de Lyon në Lozanë u bë destinacioni i parë i TGV jashtë territorit francez në vitin 1984.

Fillimisht në pronësi të plotë të SNCF të Francës, kompania kombëtare hekurudhore zvicerane, SBB, tani zotëron një aksion prej 26 për qind në TGV ‘Lyria’.

Shtatë trena qarkullojnë çdo ditë në çdo drejtim, me kohë udhëtimi pak më shumë se 3.5 orë. /thelocal