Kosova

Tenori Ramë Lahaj paralajmëron pesë mbrëmje me yje të operës

Para pak ditësh, tenori i njohur nga Kosova, Ramë Lahaj, ishte në Toronto në kuadër të aktiviteteve “Java e Kulturës së Kosovës në Kanada” dhe me rastin e koncertit special të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Ottawa e në bashkëpunim me “The Greater Toronto Philharmonic Orchestra” dhe dirigjentin shqiptar në Kanada, Bujar Llapaj, shkëlqyen me paraqitjen e tyre për nder të 25-vjetorit të ardhjes së refugjatëve të Kosovës në Kanada dhe 15- vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë, shkruan albinfo.ch.

Menjëherë pas kësaj paraqitjeje, Lahaj ka zbuluar datat e edicionit të katërt të RLIOF, dhe sipas këtij njoftimi, pritet të realizohen pesë mbrëmje të paharrueshme me yje të operës.

“Me kënaqësi të madhe ju njoftojmë që edicioni i 4-t i festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’ do të mbahet nga data 21 korrik deri më 2 gusht. Edicioni i sivjetmë i RLIOF sjell: 5 mbrëmje të paharrueshme muzikore me yjet e operas, po ashtu ekspozitë të veçantë, masterklasë frymëzuese për artistët e rinj”, është shprehur ai.