Integrimi

Gjermanët me protesta e ndalojnë dëbimin e Albinës në Beograd

Këshilli i Qytetit ka vendosur: Albina Hamidi ka fituar të drejtën që së paku edhe për një kohë të vazhdojë qëndrimin në Gjermani

“Bunt statt braun” (Kolor në vend të ngjyrës kafe), kështu mban emrin shoqata që ndihmon refugjatët në Baereuth të Bavarisë, Gjermani. Ngjyra kafe i referohet trashëgimisë naziste ndër larmia, shoqërisë së hapur, multikulturore. Kjo shoqatë ka marrë vitin e kaluar çmimin social të qytetit.

Dhe, pikërisht ditën kur ata kanë marrë çmimin që ka edhe vlerën materiale (2500 euro) kanë korrur edhe një sukses të madh: pas protestave të shumta, kanë arritur ta ndalin dëbimin e shqiptares Albina Hamidi. Ajo, një banore e Luginës së Preshevës, pasi i ishte refuzuar azili, e kishte vendimin për dëbim në Beograd.

Por tash Këshilli i Qytetit ka vendosur: Albina 19 vjeçe, e cila jeton këtu prej katër vitesh, ka fituar të drejtën që së paku edhe për një kohë të vazhdojë qëndrimin në Gjermani, shkruan nordbayerische.de. Ajo fillimisht mund të qëndrojë deri në verë, që t`i jepet mundësia ta përfundojë maturën.

Shoqata  “Bunt statt Braun” ka ngritur zërin përmes rrjeteve sociale dhe pastaj ky zë i ngritur ka shpërthyer edhe në protesta, të cilave u janë bashkuar nxënësit, shokët dhe shoqet e Albinës si dhe mësuesit dhe qytetarët tjerë.

Në pankartat e nja 100 protestuesve mund të lexoheshin slogane si: “Je suis Albina” ose “Mos e dëboni Albinën” etj.

Sikur të mos ndalohej kthimi, Albina, e cila është e sëmurë nga epilepsia, më 4 shkurt duhej të fluturonte e aeroplan për në Beograd.