Lajme

Zelensky: Ukraina do ta humbasë luftën pa ndihmën amerikane

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi të dielën, gjatë një video-konference të transmetuar në rrjetet sociale, se vendi i tij do të humbiste luftën kundër Rusisë nëse ndihma amerikane prej 60 miliardë dollarësh do të mbetej e bllokuar në Kongres, për shkak të kundërshtimit nga kampi Trumpist.

“Pa mbështetjen e Kongresit, do të jetë e vështirë për ne të fitojmë, apo edhe të mbijetojmë” si vend, tha ai.

“Situata rreth Chassiv Yar, në Ukrainën lindore, është “e vështirë dhe e tensionuar”, tha të dielën ushtria ukrainase. Megjithatë, ajo siguroi se rusët ishin “zmbrapsur”. Moska ka intensifikuar presionin e saj në rrethinat e qytetit të vogël, që ndodhet në perëndim të Bakhmut.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu një kandidate e Partisë Popullore Evropiane (EPP) për zgjedhjet evropiane në qershor, nënvizoi të dielën në Athinë rëndësinë e “mbrojtjes së prosperitetit dhe sigurisë” në Evropë kundër “sulmeve” nga Rusia.

Tre civilë vdiqën të dielën në mëngjes si rezultat i një sulmi rus që shkatërroi shtëpinë e tyre që ndodhej në një fshat në vijën e frontit, në rajonin Zaporizhia, në Ukrainën jugore./RTS