Kriza në Ukrainë

Në Ukrainë rritet frika se Rusia do ta përdorë sulmin në Moskë për ta eskaluar luftën

Ukraina ka përjashtuar mundësinë se mund të ketë ndonjë lidhje me sulmin në Moskë, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur të paktën 133 persona.

Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës, një këshilltar presidencial dhe agjencia e inteligjencës ushtarake thonë kategorikisht se Ukraina nuk ishte e përfshirë – dhe se lufta e saj me Rusinë është në fushën e betejës, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve nga BBC, shërbimi rus i sigurisë FSB ka thënë se sulmuesit e Moskës u kapën gjatë rrugës për në Ukrainë dhe se ata kishin kontakte nga ana tjetër duke i mbështetur ata. Por një përfaqësues i inteligjencës në Ukrainë, e ka quajtur “absurde” idenë që personat e armatosur do të shkonin drejt kufirit ukrainas.

Përfaqësuesi i inteligjencës ukrainase të mbrojtjes, Andriy Yusov, ka thënë se zona është plot me shërbime ushtarake dhe të sigurisë ruse.

“Çdo terrorist që ikën nga skena e një sulmi duhet të jetë budalla ose vetëvrasës – ose dëshiron të kapet”, ka deklaruar Yusov.

Ndryshe, në Kiev është rritur frika se Rusia do të përdorë sulmin për të përshkallëzuar agresionin e saj kundër Ukrainës edhe më tej, se fajësimi i Kievit, me aleatët e tij perëndimorë, do të jetë një mënyrë për të mbledhur mbështetjen për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe pushtimin e tij në shkallë të plotë – dhe për të mobilizuar më shumë ushtarët rusë për luftën.