Bota

Ky është aeroporti më luksoz në botë

Aeroporti më luksoz në botë ndodhet në një qytet që synon të ndërtojë më të mirën në çdo aspekt: Dubai

Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait (DXB) u përzgjodh si më i miri, sipas një studimi nga AllClear Travel Insurance. Aeroporti në Emiratet e Bashkuara Arabe zuri vendin e parë kryesisht për shkak të më shumë se 70 hoteleve luksoze, brenda një rrezeje prej tre miljesh nga terminali, shkruan monitor, transmeton albinfo.ch.

“Dubai është destinacion i njohur në gjithë botën për luksin që ofron, kështu që nuk është për t’u habitur që aeroporti renditet si më luksozi në botë”, shkruante studimi për vendimin.

“Aeroporti është qendra e aviacionit me rritjen më të shpejtë në botë, madje ka hotelin e tij me 5 yje, brenda vetë aeroportit. Me kopshte zen, pishinë të hapur, palestër, kinema dhe shumë restorante – ky është një aeroport, që sigurisht do t’ju lërë të ndiheni të shlodhur përpara se të fluturoni”.

Studimi analizoi më shumë se 1,800 aeroporte dhe shikoi se cilat terminale, ofronin të paktën 10 salla pritjeje (lounge), dyqane, vuri në dukje numrin e hoteleve luksoze në zonë dhe kontrolloi, nëse udhëtarët mund të kishin përfitime, si shampanjë ose havjar, përpara se të hipnin.

Aeroporti Heathrow i Londrës (LHR), doli në vendin e dytë në listë, falë numrit mbresëlënës të sallave të pritjes dhe sasisë së dyqaneve luksoze. Aeroporti Ndërkombëtar Hamad i Katarit (DOH) në Doha, i cili shtoi një restorant dhe sallë pritjeje të re ekskluzive Louis Vuitton vitin e kaluar, zuri vendin e tretë në listë.

Aeroporti i Parisit, Charles de Gaulle (CDG), i Francës dhe Aeroporti i Sidneit i Australisë (SYD), përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Aeroporti Ndërkombëtar John F. Kennedy (JFK) i Nju-Jorkut ishte aeroporti i renditur më lart në Shtetet e Bashkuara dhe zuri vendin e 11-të në listë.

Ai u pasua nga Aeroporti Ndërkombëtar i Los Anxhelosit (LAX), në vendin e 16-të.