Lajme

Publikohet raporti sekret sipas të cilit lufta në Ukrainë mund të zgjasë edhe 2 vite tjera

Rusia mund të luftojë në Ukrainë edhe për dy vite të tjera. Ky është konkluzioni i raportit të përgatitur nga agjencia e inteligjencës lituaneze. Çmimet e larta të naftës, shmangia e sanksioneve dhe investimet shtetërore, po i japin Rusisë burime të mjaftueshme për të luftuar në Ukrainë me intensitetin aktual edhe për të paktën dy vite të tjera.

Rusia reformoi dhe forcoi ushtrinë e saj të shkatërruar nga beteja në Ukrainë në vitin 2023 dhe është në rrugën e duhur për të zgjeruar aftësitë e saj ushtarake përgjatë kufirit të saj me NATO-n, duke përfshirë edhe Finlandën, thekson raporti. Të martën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka fuqizuar forcat e saj ushtarake në veri dhe perëndim të Rusisë në përgjigje të një grumbullimi të perceptuar të forcave të NATO-s në kufijtë e Rusisë. Kina është bërë furnizuesja më e madhe e Rusisë për mikroçipe dhe huani është bërë monedha kryesore për transaksionet ndërkombëtare të Rusisë, thanë agjencitë e Lituanisë.

Agjencitë e inteligjencës shkruan se inteligjenca ruse po drejton përpjekjet për shmangien e sanksioneve që u vendosën ndaj industrisë ruse të mbrojtjes pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022. Raporti tha se agjencitë e inteligjencës së Rusisë dhe Bjellorusisë kanë rritur përpjekjet e tyre për të rekrutuar lituanezë që kalojnë kufirin dhe si rrjedhojë Lituania ka arrestuar dhjetëra shtetas të saj më 2023, të cilët i ka akuzuar se u kanë ofruar të dhëna inteligjencës bjelloruse në këmbim të parave.