Lajme

10 vjet të shkollës shqipe “Children of the Eagle”

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi 10-vjetorin e aktivitetit të saj në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në New York. Nderoi me pjesëmarrjen e saj edhe Znj. Emina Cunmulaj Nazarian, Konsulle Nderi e Republikës së Shqipërisë në Florida, filantropiste dhe modele me famë botërore, përcjell albinfo.ch.

Si e ftuar e nderit, Znj. Cunmulaj iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë të ngrohtë, duke i mëshuar sidomos rolit të nënave në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare.

“Kënaqësi e veçante ishte të kishim të pranishme znj. Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Republikës së Kosovës, një model i shkëlqyer dhe frymëzim për gratë shqiptare kudo në botë. Nga Kosova ishte e ftuar edhe znj. Remzije Istrefi-Peci, Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese”, shkruan themeluesja e “Childern of the Eagle”, Drita Gjongecaj.

Aktivitetin e përshëndeti edhe z. Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, si dhe ish-këshilltar në Bashkinë e NY.

E pranishme ishte znj. Emiljana Ulaj, e zgjedhur vitin e kaluar si Westchester County Legislator.

Nuk mungonin mysafirë të nderuar edhe nga shteti fqinjë, New Jersey. E pranishme gjithashtu edhe znj. Violeta Berisha, Kryetare Bashkie e Fairview, e para shqiptare në këtë rol në historinë e Amerikës.

Po ashtu, fotografi Fadil Berisha, një nga më të njohurit në fushën e tij edhe përtej kufijve të Amerikës.

“Falënderim edhe për të gjithë miqtë e organizatës dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”, të ftuarit, prindërit, mësuesit, nxënësit dhe anëtarët e Bordit Drejtues të AADLC”, shkruan Gjongecaj.

Me vlerësime mirënjohjeje u nderuan Organizata AAWO Motrat Qiriazi, Federata Panshqiptare Vatra, z. Tony Musaj, nënkryetar i Shoqatës Humanitare “Open Hand Association” si dhe Albanian Culture TV.

Në vazhdim, mirënjohje u shpërndanë për dy nga anëtaret e Bordit Drejtues, znj. Marjana Zeneli Bulku dhe Dr. Arjeta Ferlushkaj Kotrri për kontributin e tyre të veçantë e afatgjatë në drejtimin e Organizatës AADLC.

Të gjithë anëtarët aktualë të Bordit Drejtues të Oranizatës së Dy Gjuhëve dhe Kulturave Paralele Shqiptare Amerikane AADLC u vlerësuan me Proklamata nderuese nga Bordi i Legjislatorëve të Westchester County: Mirjana Lukic, dr. Azeta Kola, Marjana Bulku, dr. Arjeta Ferlushkaj dhe Hegland Doci.

Në një atmosferë të bukur, u nderuan me pllakatë mirënjohjeje të gjithë mësuesit dhe koordinatorët e shkollës që mundën të ishin prezentë dhe që kanë dhënë kontributin e tyre vullnetar në suksesin e kësaj shkolle. Vjosa Nikci, një nga mësueset e para të kësaj shkolle, si dhe Cindy Sylaj, koordinatorja e parë pranë shkollës sonë shqipe përshëndetën të pranishmit me fjalën e tyre.

Nuk munguan fëmijët dhe të rinjtë e shkollave të mesme që ndjekin programin e shkollës shqipe. Ata interpretuan bukur dhe me ndjenjë recitime, këngë e valle shqiptare duke e shtuar harenë e mbrëmjes.

“Falënderojmë edhe bizneset shqiptare për dhuratat e çmuara që u përdorën për shortin Raffle në ndihmë të shkollës: Brucaj Eyewear, Shoppingforluxury, ArtbyEralda,  prindërit e nxënëses Eva Byberi me një kostum tradicional për fëmijë të moshës 10-11 vjeç, Posh Beauty Boutique, Aurora Beauty Salon, Alba CPA Associates, si dhe Ana’s Bakery”, shkruhet në njoftim. Në këtë short u dhuruan edhe libri “The Old Bridge – Ura e Vjetër” nga autorja Arjeta Ferlushkaj Kotrri, si dhe tri vende për të ndjekur në verën 2024 programin BALI (Two Week Leadership and Debate Training Program at Hunter College).

Mirënjohje për të gjithë ata që e mbështesin programin e Shkollës Dy-Gjuhësore “Children of the Eagle’’ në forma të ndryshme. Vetëm së bashku mund të krijojmë programe të suksesshme e afatgjata.