Futboll

Muriqi me Mallorcan ka arritur në finale të Kupës së Spanjës

Futbollisti shqiptar, Vedat Muriqi, me Mallorcan ka arritur në finale të Kupës së Spanjës në futboll, përcjell albinfo.ch.

Mallorca të martën mbrëma mposhti në gjysmëfinale Real Sociedadin pas penalltive.

Ndeshja e parë në Mallorca kishte përfunduar pa gola, ndërsa në ndeshjen e kthimit të martën në San Sebastian, rezultati pas kohës së rregullt ishte 1:1. Pasi nuk pati fitues edhe pas 30 minutave shtesë, ndeshja shkoi në penallti. Mallorca fitoi 5:4 pas penalltive.

Muriqi realizoi penalltinë e parë për Mallorcan në ekzekutimin e penalltive. Ai u inkuadrua nga minuta e 62-të ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë.

Mallorca në finale do ta presë fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Atletico Madridit e Athletic Bilbaos. Bilbao fitoi ndeshjen e parë në udhëtim me rezultatin 1:0, ndërsa të mërkurën mbrëma do të jetë nikoqire në ndeshjen e kthimit.