Kosova

Nuremberg: Pesë kompani nga Kosova prezantohen në panairin e ushqimeve organike

Mësohet se pesë kompani nga Kosova po prezantohen në panairin e ushqimeve organike “Biofach 2024” në Nuremberg, shkruan albinfo.ch.

Këto kompani nga Kosova janë duke i promovuar produktet e tyre në panairin ndërkombëtar të industrisë ushqimore organike “BIOFACH 2024”, i cili po mbahet në Nuremberg të Gjermanisë, nga data 13 shkurt 2024.

Hapësira prej 81 m2, në të cilën kompanitë kosovare: Agro-Florentina, A-D-E Group, Fungo, Agroproduct dhe Hit Flores, po i ekspozojnë produktet e tyre, është siguruar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Shtandi i Kosovës po vizitohet nga pjesëmarrës të shumtë, të cilët po njihen nga afër me produktet e kompanive tona.

Njëherësh përfaqësuesit e MINT/KIESA-s së bashku me kompanitë kosovare po zhvillojnë takime me kompanitë dhe blerësit pjesëmarrës, me qëllim të bashkëpunimit në të ardhmen për gjetjen e tregjeve të reja për eksport të prodhimeve kosovare.

Panairi është i hapur nga data 13 deri 16 shkurt 2024.