Lajme
Të blesh shtëpi/banesë në Austri është luks apo nevojë?
Rritja e interesave bankare ka bërë që dy vitet e fundit të ndihet një lloj “krize” në lëmin e ndërtimit në Austri. Kjo ka prekur edhe shumë biznese të shqiptarëve në Austri, duke qenë se shumica prej tyre janë kryesisht të lidhura me sektorin e ndërtimtarisë. Albinfo.at ka realizuar një temë rreth faktorëve që sollën këtë “krizë” si dhe, a është koha aktuale e përshtatshme për të investuar në patundshmëri?
Kushdo që në vitin 2021 ka marrë një kredi 30-vjeçare për të blerë një pronë në Austri duhej të paguante çdo muaj rreth 30 për qind të të ardhurave neto të familjes. Sot, në vitin 2023, kjo përqindje është tashmë 46 për qind. Normat e interesit janë rritur, por në të njëjtën kohë tani është shumë më e vështirë për shumë qytetarë në Austri të marrin një kredi. Këto të dhëna kanë dalë së fundmi nga “Statistik Austria”.
Rritja e interesave bankare ka bërë që dy vitet e fundit të ndihet një lloj krize në lëmin e ndërtimit në Austri. Kjo ka prekur edhe shumë biznese të shqiptarëve në Austri, duke qenë se shumica prej tyre janë kryesisht e lidhur me sektorin e ndërtimtarisë.
Argtim Hani, biznesmen i suksesshëm në Vjenë i cili merret tash e 25 vjet me veprimtarinë e patundshmërive thekson për albinfo.at se, ky vit ka qenë ndër vitet më të vështira në sektorin e patundshmërive. “Unë e kam përjetuar edhe krizën e vitit 2008, por nuk ka qenë në përmasa në këtë formë. Kjo tani na ka befasuar të gjithëve! Nëse flasim për shtetin austriak, kriza të tilla mund të jenë më përqindje shumë të vogël, por duke qenë që jemi pjesë e Bashkimit Evropian, sigurisht që na përfshin edhe ne“, ka thënë ai.
Eksperti i pasurive të patundshmërive, Argtim Hani shpjegon se, cilët mund të jenë faktorët që sipas tij ka ndikuar në këtë „krizë“ në sektorin e patundshmërisë.
„Prej që merrem me patundshmëri, gjithmonë ka pasur ngritje të çmimeve me një përqindje të caktuar. Kur filloi pandemia, 3-4 muaj u bllokua ky sektor sepse me gjasë njerëzit filluan të kenë një lloj paniku dhe ishin skeptikë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Por, kur shteti austriak iu dha mundësinë, çmimet u rritën me një shpejtësi më të madhe në krahasim me vitet e kaluara. Kjo rritje, ishte edhe fillimi i çorientimit të tregut. Kah mesi i vitit 2022 filloi rritja e interesit bankar me një rritje të shpejtë nga rreth 2 për qind sa ishte, shkoi në rreth 7-8 për qind. Përveç kësaj, erdhën edhe disa ligje të tjera të cilat vështirësuan mundësinë e blerësit të fundit. Kur krijohen vështirësi për blerësin e fundit, automatikisht krijohet problem edhe për investitorët. Megjithatë, pavarësisht rritjes së interesave bankare, në zonën 1 dhe 2 të Vjenës çmimet akoma kanë mbetur të qëndrueshme“, shpjegon biznesmeni Argtim Hani.
Sipas zotit Hani, një faktor tjetër për prishjen e ekuilibrave të patundshmërisë është edhe se, duke u rritur me hapa të shpejtë kjo lloj veprimtarie, filluan të merren me patundshmëri edhe shumë njerëz të cilët nuk e njihnin mirë këtë veprimtari pa i llogaritur mirë rreziqet që mund të ndodhin nëpër botë dhe që mund të sjellin kriza të ndryshme.
Si mund të dilet nga kjo “krizë”?
Ndërkohë Kaltrina Durmishi, ekonomiste dhe bankiere në departamentin e procesimit të investimeve me letra me vlerë në “Erste Bank” në Vjenë, thekson për albinfo.at se, rritja e normës bazë të interesit e ka burimin nga Banka Qendrore Evropiane. “Rritja ishte e nevojshme për të luftuar inflacionin, i cili doli jashtë kontrollit. Rrethanat politike dhe sociale në botë ndikuan tek rritja e inflacionit (padyshim pandemia dhe luftërat nëpër botë ishin arsyet kryesore), pasi Banka Qendrore e kishte mbajtur normën bazë të interesit për shumë kohë jashtëzakonisht të ulët. Nuk ngeli asnjë instrument i mundshëm tjetër në dispozicion përveç rritjes se normës bazë. Arsyeja e dytë është vështirësimi i kushteve nga bankat. Për të financuar patundshmëri duhet klienti të ketë të paktën 20 për qind të shumës, si dhe kësti i kreditit nuk duhet të jetë më i lartë se 40 për qind e të ardhurave të një familje”, thotë ajo.
Për të dalë nga kjo “krizë” sipas Katrina Durmishit duhet të rregullohen disa faktorë: “Fillimisht, inflacioni duhet të kthehet në nivele normale, dhe kjo është duke shkuar në drejtimin e duhur. Faktori i dytë, të ardhurat duhet të rriten (gjë që në Austri bëhet pothuajse automatikisht me rritjet vjetore të kontratave kolektive). Pastaj duhet të ulet prapë norma bazë në nivele të përballueshme për kushtet që i ofron Austria”, shpjegon ajo.
A duhet të investojmë në pasuri të patundshme?
Një biznesmen tjetër që merret prej vitesh me sektorin e ndërtimit është Armend Mehmeti, njëri nga pronarët e kompanisë “Hekuri GmbH”. Kompania e tij përveç tjerash, njihet edhe për ndërtimin e shtëpive të shumë shqiptarëve në Vjenë dhe rrethinë. Ai thotë se, shumica e shqiptarëve ndërtimin e shtëpive e bëjnë me para të kursyera ndër vite. “Shqiptarët janë punëtorë të zellshëm dhe ndërtimet për familjen e tyre pothuajse gjithë investimit i bëjnë nga kursimet e tyre vetanake dhe nuk njihen për investime me kredite bankare”.
Armendi sqaron se, të investosh në patundshmëri është edhe luks por edhe nevojë. “Unë mendoj se janë të dyja. Ne jemi dëshmitarë që vlera e pronës në Austri e sidomos në Vjenë po rritet nga viti në vit. Pavarësisht krizës, Vjena është dukshëm më mirë se sa qytetet tjera të mëdha të shteteve për rreth. Kjo lë të nënkuptohet se pavarësisht interesit të lartë bankar, mendoj që pas disa vjetësh, ai që investon do ta kuptojë që ka bërë investimin e duhur”, thotë biznesmeni Mehmeti.
Edhe Argtim Hani pohon se, në dhjetë vitet e fundit shqiptarët kanë bërë një bujë shumë të madhe duke blerë shtëpi/banesa për ta dhe familjet e tyre, në Austri. “Është sistemi tipik tradicional shqiptar, ku ata blejnë tokën me një çmim të volitshëm dhe e ndërtojnë thuajse vet, duke ju ndihmuar miqtë dhe shokët e tyre. Madje, thuajse ata nuk detyrohen të marrin fare kredi, sepse për gjatë viteve sa kanë punuar, kanë arritur të mbledhin mjetet financiare për të blerë një shtëpi/banesë për ta dhe familjen”.
Ndërkohë për kohën aktuale të patundshmërisë, Argtimi thotë se, ia vlen të blesh vetëm nëse ke mjete financiare të gatshme dhe jo të marrësh kredi. “Po të kesh mjetet e gatshme, mund të marrësh deri në 20 për qind më lirë objektin dhe që besoj se ia vlen, por në asnjë mënyrë të investosh duke marrë kredi. Megjithatë, gjithçka është çështje llogarie. Varet edhe objekti se ku e blen dhe çfarë potenciali ka për shitje apo për biznes”, shton ai.
“Më mirë të banosh me këste të kredisë apo me qira”?
Nga ana tjetër, ekonomistja Durmishi potencoi se, investimi në banim sigurisht që tek disa njerëz ka vlerë më të lartë se sa që duhet të kishte.
“Për të ju afruar llogarisë ta paramendojmë një familje që jeton në banim të subvencionuar në Vjenë dhe paguan 800 Euro qira në muaj. Në këtë pagesë zakonisht bëhen edhe shpenzimet e mirëmbajtjes së objektit. Mbetet për të paguar ekstra vetëm rryma dhe ngrohja. Për çdo lloj problemi që mund të paraqitet në banesë, përgjegjës është pronari.
Deri në rritjen drastike të interesit në këto rrethana kjo familje, që po supozojmë që nuk ka të kursyera familjare, e mundëson edhe financimin e 100 për qind të blerjes, në disa raste edhe 110 për qind. E njëjta familje pa problem financonte të themi 350.000 Euro kredi me këstin mujor afër 1.300 euro për 30 vjet, kësti mujor është më shumë se i dyfishuar. Si pronar je i obliguar me rritjen e normës të paguash shpenzimet për mirëmbajtje dhe kështu për të njëjtin financim bën shpenzime afër 3000 euro në muaj. Pra, nëse financimi do të ishte fleksibel, shpenzimet e familjes për banim do të shkonin nga 1500 – 3000 euro në muaj. Nëse do të ishte financimi fiks, një shumë e konsiderueshme e të ardhurave do të shkonte në banim dhe kjo ndoshta do t’ia bëjë familjes të pamundshme të kursejë apo investojë në diçka tjetër”.
Për t’i sqaruar rregullat e reja të cilat qëndrojnë në treg, Kaltrina tregon: “Në rrethana të sotme, familja e njëjtë për ta bërë këtë financim, duhet t’i kishte fillimisht më së paku 70.000 Euro të kursyera dhe kësti nuk duhet të ishte mbi 40 për qind e të ardhurave familjare. Pra, të ardhurat neto të familjes duhet te ishin më së paku 3500 euro neto. Me këtë këst mujor familja mund t`i marrë maksimalisht 280.000 kredi dhe t`i investojë edhe të kursyerat familjare.
Nëse familja e njëjtë do të kishte vendosur që ato 500 Euro shtesë që i kursen nga kësti i kredisë i pagesës së qirasë dhe do t`i investonte në tregun financiar për një afat 30 vjeçar, me një performance mesatarisht 7 për qind në vit, llogaria do të dilte kështu: Klienti do t`i kishte investuar 180.000 Euro, dhe pas 30 vitesh me këtë investim i kishte arritur 588.000 Euro. Në rast se do i kishte investuar 800 euro në muaj, do e kishte tejkaluar 1 milion euro. Ndërsa me një këst krediti nga 800 euro në muaj, për 30 vjet mund t’i financosh 160.000 euro dhe do i kthesh bankës afër 300.000 euro. Natyrisht, pas 30 vitesh, prona është e jotja dhe ti posedon një pronë me vlerë të lartë. Megjithatë, duhet pasur parasysh që gjatë atyre 30 vjetëve, ti do të ngarkohesh me shpenzime shtesë për riparime, rinovime etj.”, thotë Kaltrina e cila shton:
“Nga pikëpamja financiare nuk duhej të qëndronte fjalia “Më mirë kësti i kredisë apo qiraja”, fjali kjo e shpërndarë shumë në mendjet tona. Austria ofron mundësi të shumta për të evituar qira shumë të larta dhe ka “rrugë” të ndryshme si arrihen kursime që e tejkalojnë atë që mund të arrihet me blerjen e një shtëpie. Llogaritë klasike matematikore nuk tregojnë që zgjidhja më e mirë është gjithmonë prona. Vlera sentimentale e “të qenurit pronar” mendoj se është shumë e larte tek ne shqiptarët dhe nganjëherë i tejkalon llogaritë racionale. Por, çdo llogari duhet të bëhet nga këndvështrimi individual dhe të sheh se ku i del më mirë llogaria”.
Për fund, të gjithë të prononcuarit ishin të njëjtit mendim se për kohën aktuale është mirë të investojnë vetëm ata që kanë para të gatshme por, jo edhe të bëjnë investime me kredi.
E-Diaspora
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu Më 10 dhjetor 2024, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë...
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor