Lajme

Vladimir Putin regjistrohet zyrtarisht si kandidat për zgjedhjet presidenciale

Presidenti rus, Vladimir Putin, është regjistruar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Rusi si kandidat për zgjedhjet e reja presidenciale.

Ai do të garojë për mandatin e pestë presidencial, ndërsa për shkak të ndryshimeve kushtetuese, që janë kritikuar nga ekspertët, Putini ka të drejtë të bëhet president edhe për dy mandate, shkruan albinfo.ch.

Putin do të garojë si kandidat i pavarur në zgjedhjet e caktuara për 17 mars, ndërsa për t’u regjistruar si kandidat, atij iu kërkua të mblidhte të paktën 300.000 nënshkrime të rusëve nga rajone të ndryshme të shtetit, për të mbështetur kandidaturën e tij. Nga nënshkrimet e dorëzuara, 0.15 për qind e tyre u shpallën të pavlefshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi.

Putini është bërë kandidati i katërt i regjistruar për zgjedhjet presidenciale ruse dhe gjithsej 11 kandidatë po synojnë të garojnë në zgjedhje dhe kandidatët kanë afat të mbledhin nënshkrimet e nevojshme deri më 31 janar.

Ndryshe, Putin për herë të parë u zgjodh president i Rusisë në vitin 2000.