Lajme

Zvicra konfirmon se presidenti izraelit është goditur me kallëzime penale gjatë vizitës në Davos

Prokurorët zviceranë të premten kanë konfirmuar se presidenti izraelit Isaac Herzog ishte objekt i ankesave penale gjatë vizitës së tij në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, Zvicër, pasi Izraeli e gjen veten të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Gaza.

“Ankesat penale do të shqyrtohen sipas procedurës së zakonshme,” tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm zviceran për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, duke shtuar se do të kontaktojë ministrinë e jashtme zvicerane për të shqyrtuar çështjen e imunitetit të individit në fjalë, përcjell swissinfo.

Deri më tani, zyra nuk dha detaje rreth ankesave.

Sipas raportimeve ankesat vijnë nga një grup i quajtur “Veprimi ligjor kundër krimeve kundër njerëzimit”, ndërsa u tha se shpreson të hapë një hetim penal paralelisht me procedurat para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne jemi të bindur se Zvicra ka detyrimin të kryejë një hetim”, thuhet në një deklaratë për shtyp, transmeton albinfo.ch.

Zvicra tashmë ka shpërfillur imunitetin diplomatik në të kaluarën, thekson grupi, duke përmendur shembullin e ish-presidentit të Gambisë, Yahya Jammeh. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për “kriminelët perëndimorë”. Në njoftimin për shtyp nuk specifikohet se për çfarë akuzohet presidenti izraelit.

Izraeli aktualisht po përballet me akuza për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Kombeve të Bashkuara në lidhje me operacionin e tij ushtarak në Rripin e Gazës. Kjo fushatë ushtarake filloi pas sulmit të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor, i cili vrau rreth 1140 njerëz. Më shumë se 24,000 njerëz të tjerë kanë vdekur në Gaza pas ofensivës izraelite, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Presidenti izraelit Isaac Herzog vizitoi të enjten WEF në Davos. Në fjalimin e tij, ai denoncoi “perandorinë e keqe” të udhëhequr nga Irani. Në terma afatgjatë, “ne duam të arrijmë paqen”, këmbënguli ai.