Lajme

Të shtëna në kampusin universitar në Las Vegas, autori dyshohet një ish-profesor

Raportohet se të paktën tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në kampusin e Universitetit të Nevadës në Las Vegas dhe një tjetër i plagosur ndodhet në gjendje kritike në spital. Këtë e ka bërë të ditur policia, duke sqaruar se vrasësi i dyshuar ka vdekur.

Alarmi në universitet ra rreth orës 11:45 me orën lokale, në Beam Hall, godina ku ndodhet Fakulteti i Ekonomisë. Universiteti postoi një mesazh, duke u kërkuar studentëve të evakuonin zonën, në të njëjtën kohë policia njoftoi në një postim në X se ata po i përgjigjeshin “të shtënave në kampus” dhe se kishte “shumë njerëz të prekur”.

Pas rreth gjysmë ore policia ka njoftuar se “i dyshuari është gjetur dhe ka vdekur”. Burimet e zbatimit të ligjit duke folur për mediat amerikane e përshkruan të armatosurin si një ish-profesor kolegji në të gjashtëdhjetat e tij. Ata shtuan se ai më parë kishte dhënë mësim në Xhorxha dhe Karolinën e Veriut.

Të shtënat ndodhën jo shumë larg vendit të masakrës në Las Vegas, ku në vitin 2017 Stephen Paddock, 64 vjeç, qëlloi rastësisht një turmë me 23 armë, nga dritarja e dhomës së tij në hotelin Mandalay, duke vrarë 61 persona dhe duke lënë 850 të plagosur.

UNLV do të jetë e mbyllur për pjesën tjetër të javës, tha policia universitare.

Presidenti Joe Biden reagoi ndaj të shtënave në UNLV, duke u bërë thirrje republikanëve në Kongres të miratojnë një ligj ndalimi për armët e sulmit. Zyrtarë të tjerë lokalë shprehën gjithashtu shqetësim lidhur me raportet nga kampusi i Vegas.

Në vitin që po përfundon, SHBA ka regjistruar numrin më të madh të të shtënave masive në një vit që nga viti 2006. Sipas një analize të CNN, deri më tani këtë vit ka pasur 80 të shtëna në shkolla në SHBA. Prej tyre, 51 të shtëna janë raportuar në kampuset K-12 dhe 29 në kampuset e universiteteve dhe kolegjeve.