Lajme

Presidenti i Ukrainës: Rusia mund t’ua mësyjë edhe vendeve të NATO-s

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur i shqetësuar se lufta Izrael-Hamas do të errësojë konfliktin me të cilin po përballet Ukraina me Rusinë, teksa për AP ai ka thënë se kjo luftë mund të tërheqë jo vetëm vëmendjen, por edhe burimet nga Ukraina, shkruan albinfo.ch.

“Vëmendja shkon barabartë me ndihmat. Asnjë vëmendje nuk shkon pa ndihma. Ne luftojmë për çdo pjesë të vëmendjes”, ka thënë ai.

Sipas një sondazhi nga AP, pothuajse gjysma e amerikanëve mendojnë se Ukraina tashmë po merr shumë para nga SHBA-ja, sondazh që përfshin disa ligjvënës republikanë të SHBA-së.

Zelensky deklaroi se e kupton që amerikanët po përballen me një zgjedhje të vështirë kur bëhet fjalë për Ukrainën, por ai u shpreh se pasojat nga mosmbështetja amerikane për Ukrainën mund të jenë të ashpra dhe forcat amerikane mund të vendosen në Evropë.

“Pa mbështetjen e SHBA-së, Rusia me shumë gjasa mund të pushtojë vendet e NATO-s dhe më pas fëmijët amerikanë do të luftojnë”, u shpreh ai.

Ndryshe, Zelensky javë më parë pati deklaruar se Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi, për të larguar vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.