Kriza në Ukrainë

Hungaria “dorëhiqet”, BE-ja ka rënë dakord për paketën e mbështetjes financiare për Ukrainën

Propozimi i Komisionit Evropian për të mbështetur Ukrainën me 50 miliardë euro kredi dhe grante gjatë katër vjetëve të ardhshme nuk kundërshtohet nga askush, teksa komisioneri evropian i Buxhetit, Johannes Hahn, gjatë një konference për shtyp ka zbardhur sot planet.

Sipas raportimeve nga skynews, qeveritë e Bashkimit Evropian kanë bërë pazare për një rishikim të buxhetit afatgjatë të bllokut 27-vendesh pasi Komisioni propozoi që vendet e BE-së të ofrojnë fonde shtesë për buxhetin e përbashkët, shumica e tyre për Ukrainën.

“Puna qendrore është mbështetja për Ukrainën. Kjo nuk kontestohet nga askush”, u shpreh ai, përcjell albinfo.ch.

Ndërkaq, pengesë e kësaj ishte bërë disa herë shteti hungarez, i cili ka kundërshtuar ashpër ndihmat e vazhdueshme për Ukrainën, teksa SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë ndër donatorët kryesorë për Ukrainën.