Futboll

Duka përlotet pas kualifikimit të Shqipërisë në EURO2024

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u pa tejet i emocionuar pas kualifikimit të Shqipërisë në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani.

Dukës nuk i munguan as lotët e gëzimit.

“Përgëzoj të gjithë, nuk ka më mirë se kaq. Sylvinho, lojtarët, tifozët, të gjithë e bënë këtë skuadër. E kemi edhe një ndeshje, por është diçka madhështore që jemi kualifikuar. Të gjithë janë të mrekullueshëm dhe uroj të gjithë për këtë sukses të përbashkët. Tani është akoma më e vështirë për ne është sukses që shkojmë në Evropian, do të mundohemi të bëjmë më mirë, por aty marrim pjesë skuadra të forta. DO të përpiqemi të bëjmë më të mirën”, ka thënë Duka, përcjell albinfo.ch.

Shqipëria për herë të dytë është kualifikuar në një Kampionat Evropian.

Një barazim ndaj Moldavisë në udhëtim 1:1, mjaftoi që kuqezinjtë të festojnë edhe të kualifikohen në Euro 2024, që do të mbahet në Gjermani.

Golin e vetëm për kuqezinjtë e shënoi Sokol Cikalleshi nga penalltia në minutën e 25-të, derisa vendasit shënuan në minutën e 88-të, por që ishte vetëm për statistika.

Shqipëria nga shtatë ndeshje grumbulloi 14 pikë, apo katër fitore, dy barazime dhe një humbje.

Ndeshja e ardhshme dhe e fundit për Kuqezinjtë do të jetë më 20 nëntor kundër Ishujve Faroe në Tiranë.