Kosova

A ishte djali i Aleksandër Vuçiqit pjesë e sulmit në Banjskë të Zveçanit?

Dy javë pas sulmit terrorist në Banjska të Kosovës, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka vijuar me zbardhjen e fakteve që vërtetojnë lidhjen direkte të Serbisë në organizimin dhe realizimin e këtij sulmi.

“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic, gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuciq. Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë. Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”, ka shkruar Sveçla, duke shtuar se u mbetet organeve të sigurisë dhe hetimeve të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.