Futboll

Yakin: Xhaka mund të bëhet selektor i Zvicrës

Në një deklaratë për media, Murat Yakin, ka folur në superlativ për Granit Xhakën. Xhaka është kapiten i Zvicrës, ndërsa tashmë po shkollohet për trajner, përcjell albinfo.ch.

Kujtojmë se mesfushori kosovar së fundi është transferuar te Bayer Leverkuseni në Gjermani, ku po shfaq nivel të lartë.

Transferimi te Leverkuseni është vlerësuar nga Yakin. Ai ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën zvicerane “20 Minuten”. Në pjesën e parë të intervistës ka folur për transferimet e lojtarëve të Zvicrës. Lojtarët e Zvicrës e pyesin Yakinin për këshilla dhe ai e vlerëson këtë.

“Nëse e njihni Granitin e dini që çdo gjë është e menduar deri në detaje. Situata në Leverkusen me trajnerin, kontratën dhe ambientin është ideale për të”, ka thënë Yakin.

Ai më pas është pyetur për shkollimin e Xhakës për trajner.

“Jam i lumtur për të gjitha opinionet dhe mendimet. Me njohuritë e tij dhe përvojën, nuk kam dyshim që Graniti mund të jetë trajner i suksesshëm. Por nuk është i vetmi”, ka thënë Yakin.

Ai mendon se edhe Manuel Akanji i ka të gjitha parakushtet që të jetë trajner i suksesshëm.

“A do të të zëvendësojnë Xhaka apo Akanji si trajner i Përfaqësueses kur të pensionohesh?”, ishte pyetja tjetër për Yakinin.

“Në një pikë u besoj absolutisht të dyve”, është përgjigjur Yakin.

Ai e ka vlerësuar edhe kalimin e Yann Sommerit nga Bayerni tek Interi. Ka thënë se Sommer mbetet portieri i parë i Zvicrës, por se Gregor Kobel po afrohet gjithnjë e më pranë. Kobel po paraqitet me sukses te Borussia Dortmundi.

Yakin së shpejti do ta mbledhë ekipin për udhëtim në Kosovë. Ndeshja Kosova – Zvicra zhvillohet më 9 shtator në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. I takon eliminatoreve për “Euro 2024”. Zvicra vlerësohet favorite e madhe e grupit.

Yakin të mërkurën pritet ta shpallë listën për ndeshjen me Kosovën. Grumbullimi i helvetikëve bëhet të hënën, më 4 shtator.