Integrimi

“Rinora 4”, një qendër që bën bashkë shqiptarët e rinj në Zvicër

Televizioni zviceran «Tele Zuerich» ka realizuar një kronikë interesante nga diskoteka e famshme shqiptare “Rinora 4”, në Rümlang të Cyrihut.

Gazetari zviceran tregon përshtypjet e tij drejtpërdrejt nga klubi, ku interviston edhe shumë të rinj (e më pak të rinj) që janë frekuentues të rregullt të Rinora 4.

Të gjithë shprehen entuziastë për atë çfarë u ofron ky vendtakim i tyre me muzikë, kryesisht shqiptare. Në këtë ambient janë bërë shumë njohje dhe lidhje të çifteve që ka ndodhur të kurorëzohen edhe me martesa.

Po kështu në emision flasin edhe bashkëpronarët e diskotekës, Shaban Konxheli dhe Habib Leci, të cilët e udhëheqin atë që nga themelimi, në vitin tashmë të largët, 1997. Ata thonë se kanë sjellë edhe këngëtarë/e “Vip” të skenës muzikore shqiptare. Një e tillë ishte edhe Era Istrefi, e cila performonte në Rinora, në natën kur u realizua kronika.