Futboll

Xhaka drejt largimit nga Arsenali, Leverkuseni, i gatshëm të paguajë

Bayer Leverkuseni është i gatshëm të paguajë dukshëm më tepër për Granit Xhakën dhe kështu transferimi po shkon drejt realizimit.

Goal.com ka shkruar se mesfushori është pranë largimit nga Arsenali, transmeton Albinfo.ch.

Muaj më parë pritej transferimi i Xhakës te Leverkuseni. Madje transferimi pritej të kompletohej me të përfunduar edicioni në Premier League. Por, më pas nuk kishte lëvizje për javë të tëra.

Xhaka tani pritet të transferohet në skuadrën gjermane për 25 milionë euro, që është shifër dukshëm më e lartë se ajo prej 15 milionë eurove që ishte përmendur në fillim të negociatave.

Xhaka e ka kompletuar edicionin më të mirë te Arsenali, por megjithatë pritet të lëvizë për në Gjermani. Ai tek Arsenali ka luajtur prej vitit 2016, kur ishte transferuar nga Borussia Moenchengladbach. Në edicionin e fundit në Premier League, Xhaka i kishte shtatë gola e shtatë asistime në 37 paraqitje. Gjithsej në kampionatin anglez i ka luajtur 225 ndeshje, ndërsa ka shënuar 17 gola dhe ka bërë 24 asistime.

Largimi i Xhakës përflitej ende pa përfunduar edicioni në Premier League. Tek Arsenali po punojnë për angazhimin e Declan Rice, që vlerësohet se do ta zëvendësojë Xhakën. Romeo Lavia dhe Moises Caicedo janë emra tjerë të mesfushës që po i përcjell klubi londinez. Mbrojtësi i Ajaxit, Jurrien Timber, është tjetër lojtar i pëlqyer nga Arsenali.

Leverkuseni, sipas “goal.com”, ditëve të ardhshme mund të zyrtarizojë transferimin e Xhakës. Nëse kjo ndodh, ai mund të debutojë në ndeshjen miqësore ndaj Paderbornit, më 21 korrik./Albinfo.ch