Integrimi
Ata që u nënshtrohen ligjeve duhet të kenë të drejtë të thonë fjalën e tyre
Parlamenti po injoron mundësinë që natyralizimin t`ia përshtasë një demokracie gjithëpërfshirëse. Tani ne, qytetarët, duhet ta ndryshojmë këtë
Rruga parlamentare ka dështuar. Muajt dhe vitet e fundit, përfaqësues të partive të ndryshme janë përpjekur ta bëjnë të drejtën civile zvicerane më të drejtë. Të gjitha kanë përfunduar me të njëjtin rezultat: nuk patën asnjë shans në Parlament. Kjo nuk është për tu çudiur, sepse parlamenti nuk pasqyron përbërjen e popullsisë aktuale në këtë vend. Shumë pak veta nga parlamentarët e kanë përjetuar vetë natyralizimin. Kjo është arsyeja pse ne krijuam shoqatën “Aktion Vierviertel” (Aksioni katër të katërtat).
Është tragjike që parlamenti në politikat e tij injoron demokracinë gjithëpërfshirëse, sidomos për faktin se këtë vit po festojmë 175 vjetorin e shtetit modern federal. Në atë kohë, Zvicra ishte i vetmi vend në Evropë ku revolucioni demokratik kishte pasur sukses. Kështu, Zvicra ishte bërë demokracia e dytë më e vjetër në botë pas SHBA-së – të paktën për burrat zviceranë. Sipas motos “qëndrimi në vend është kthim prapa”, Zvicra ka mbetur prapa ndër vite. Zvicra ishte një nga vendet e fundit në Evropë që vendosi të drejtën e votës së grave. Situata është e ngjashme me marrjen e nënshtetësisë zvicerane. Pavarësisht se është një nga vendet më të larmishme gjithandej, Zvicra ka një nga ligjet më të rrepta të natyralizimit në Evropë. Kjo është një kontradiktë e hapur me vetë-imazhin demokratik, që ka pasoja shkatërruese.
Pa këta njerëz, vendi ynë thjesht nuk do të funksiononte.
Më shumë se dy milionë njerëz – një e katërta e popullsisë – nuk kanë pasaportë zvicerane, kryesisht për shkak të këtij ligji kufizues të natyralizimit. Ata kanë lindur këtu, kanë ardhur në Zvicër si fëmijë ose kanë emigruar si të rritur. Ata janë në shtëpinë e tyre, në Zvicër dhe kanë qendrën e jetës së tyre, këtu. Ata punojnë këtu, paguajnë taksa dhe janë një pjesë e rëndësishme e këtij vendi dhe e shoqërisë sonë.
Pa këta njerëz, vendi ynë thjesht nuk do të funksiononte. As në sektorin e përkujdesjes shëndetësore (kjo u bë e qartë për ne jo më larg se gjatë pandemisë) as në sektorin e ndërtimit apo shumë fusha të tjera. Megjithatë, ne nuk i lëmë këta njerëz të thonë fjalën, për shembull, rreth asaj se çfarë ndodh me paratë e tyre të taksave. Ata po ashtu nuk mund të zgjedhin “përfaqësuesit e popullit” më 22 tetor (sepse me sa duket nuk llogariten në popull), as nuk mund të zgjidhen vetë në organet e rëndësishme. Nëse duan të bëhen pjesëtarë të plotë të Zvicrës dhe të aplikojnë për natyralizim, ata u nënshtrohen kushteve që as shumë zviceranë vendas nuk do të mund t`i plotësonin.
Zvicra është plot ngjyra, e larmishme dhe, pikërisht për shkak të kësaj, e suksesshme.
Mbi të gjitha, kjo tregon diçka: të drejtat tona civile kanë nevojë urgjente për një përditësim. Pjesëmarrja politike është një nga shtyllat themelore të demokracisë: ata që u nënshtrohen ligjeve duhet të jenë në gjendje të thonë fjalën e tyre. Qasja e thjeshtuar dhe e shpejtë në shtetësi mundëson pjesëmarrjen për të gjithë dhe kështu krijon kushtet për një demokraci të gjallë dhe moderne. Dhe nëse ky përditësim i demokracisë nuk mund të vijë nga parlamenti, ai duhet të vijë nga rruga (me votim gjithëpopullor).
Për këtë arsye, lëvizja e shoqërisë civile “Aktion Vierviertel” ka nisur një “iniciativë demokratike”. Zvicra është plot ngjyra, e larmishme dhe, pikërisht për shkak të kësaj, e suksesshme. Tani na takon ne të sigurojmë që këtu të përfshuhet edhe e drejta e qytetarisë. Sepse siç e ka thënë Mani Matter: Bëjeni, përndryshe nuk do të jetë ndryshe!
- Arbër Bullakaj është kryetar i Aktion Vierviertel dhe bashkëthemelues i Nismës Demokracia. Ky opinion i tij është publikuar në Tages Anzeiger dhe, me konfirmimin e autorit, edhe në albinfo.ch., shqip dhe gjermanisht
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor