Lajme

Popullsia në Austri rritet në mbi 9 milionë

Rritja e nxitur kryesisht nga emigrantët ukrainas

Referuar statistikave, popullsia totale e Austrisë u rrit mbi 9 milionë vitin e kaluar, e nxitur pjesërisht nga fluksi i refugjatëve ukrainas që ikin nga pushtimi rus, përcjell albinfo.at.

“Pothuajse 137 000 refugjatë emigruan në Austri në vitin 2022”, raportoi sot “Statistics Austria”.

Thuhet se numri i të ardhurve të rinj është më i madh krahasuar me kulmin e krizës së refugjatëve në vitin 2015. Nga këta, 67 000 persona ishin nga Ukraina.

Në fillim të vitit, u numëruan 9.1 milionë njerëz në vendin alpin.

Midis tyre ishin 225 000 shtetas gjermanë, gati 2,5% të popullsisë, të cilët përfaqësojnë grupin më të madh të popullsisë së huaj në Austri.

Pa ndikimin e migracionit, popullsia e Austrisë do të kishte rënë. Numri i lindjeve ra me 4% vitin e kaluar, në më pak se 83 000. Vdekjet ndërkohë janë rritur me 1,5%.