Futboll

Xhemaili, me golin e fitores, në derbin e fundit

Zurichu ka mundur si vendas Grasshoppers me rezultat 2:1

Në Superligën e Zvicrës luajnë një numër i madh i futbollistëve shqiptarë, që janë vendimtarë në skuadrat e tyre.

Zurichu në xhiron e fundit ka mundur Grasshoppers me shifrat 2:1, shkruan albinfo.ch.

Mysafirët herët kaluan në epërsi kur Pusiq realizoi në minutën e tetë, pas asistimit nga Shkëlqim Demhasajt. Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe bën përmbysjen me anë të Lindrit Kamberit dhe Blerim Xhemailit.

Ky ishte gol special për Xhemailin, i cili ka lajmëruar se do të përfundojë karrierën dhe në derbin e fundit shënoi gol.

Mesfushori shqiptar pikërisht në Zurich e kishte filluar karrierën, ndërsa ka luajtur për Boltonin, Parman, Torinon, Napolin, Genoan, Galatasaray, Bolognan dhe Montreal.

Me Zvicrën ka 69 ndeshje dhe dhjetë gola.

Për Zurichun luan edhe mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, ndërsa te Grasshoppers nga fillimi ishin edhe Meritan Shabani dhe Amir Abrashi. Bledan Krasniqi u aktivizua në pjesën e dytë për vendasit. Pra, në fushë në total ishin shtatë futbollistë shqiptarë.

Pas 34 javësh, Zurich renditet në vendin e tetë, me 41 pikë, kurse Grasshoppers në vendin e gjashtë, me 43.