Tematike

Bashkëkryetarja e Grupit të Miqësisë Zvicër-Kosovë, kundër heqjes së vizave për Kosovën!

Doris Fiala: “Jam e befasuar që vendet e BE-së tani kanë hequr detyrimin për vizë. Kjo është pa dyshim një sfidë për ne në Zvicër. "Ekziston rreziku që tani shumë njerëz nga Kosova do të udhëtojnë në Zvicër për të kërkuar punë"

“Regjimi pa viza në BE: Kosovarët, të lumtur – shqetësime në politikë”. Me këtë titull fillon artikulli i gazetarit të SRF-së me opinionet pas heqejes së regjimit të vizave, të vendosur nga Parlamenti i BE-së më 18 prill.

Parlamenti i BE-së ka dhënë dritën e gjelbër që kosovarët të hyjnë pa viza në vendet e Shengenit, shkruan albinfo.ch. Kjo do të thotë se nga viti 2024 ata mund të hyjnë edhe në Zvicër, ku mund të qëndrojnë 90 ditë, meqë Zvicra bën pjesë në zonën Shengen.

“Komuniteti kosovar është i lumtur, sepse shumë kanë të afërm këtu. Por, nga politika shprehen edhe shqetësime”, shkruan më tutje srf. Ndërkaq, është e habitshme se ajo që në këtë rast është menduar me “shqetësime nga politika”, lidhet pikërisht me një politikane që duhej apriori të kishte qëndrim pozitiv ndaj Kosovës, nga Doris Fiala, e cila është bashkëkryetare e Grupit të Miqësisë Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës. Fiala është politikane liberale shumë e njohur dhe aktive prej disa dekadash në Parlament e jashtë tij.

“Deputetja nacionale e FDP, Doris Fiala, për shembull, nuk është entuziaste për këtë vendim të BE-së. Ajo është bashkëkryetare e grupit parlamentar të miqësisë Zvicër-Kosovë dhe thotë: “Jam e befasuar që  vendet e BE-së tani kanë hequr detyrimin për vizë. Kjo është padyshim një sfidë për ne në Zvicër”, citohet Fiala

Kjo, për faktin se “ekziston rreziku që tani shumë njerëz nga Kosova do të udhëtojnë në Zvicër për të kërkuar punë”, thotë Fiala.

Ndryshe mendon Bekim Dalipi, redaktor i platformës albinfo.ch, po ashtu i pyetur nga srf.ch. “Nuk e besoj. Një anketë është bërë në albinfo.ch. dhe shumica e lexuesve tanë janë përgjigjur se do të vizitojnë Zvicrën vetëm sepse kanë miq dhe të afërm këtu”.

Për Bekim Dalipin ky mesazh është “lajmi i mirë” i vitit: “Statusi pa viza për kosovarët është një lajm shumë i mirë, të cilin ata e kanë pritur prej kohësh”. Krahasuar me vendet fqinje, Kosovës iu desh të priste tre herë më shumë për heqjen e vizave.

I lindur në Kosovë, ai punon si gazetar në Albinfo.ch, portal lajmesh për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Në fakt: Ndërsa njerëzit në vendet e tjera të Ballkanit si Shqipëria, Serbia apo Maqedonia e Veriut kanë qenë në gjendje të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së ose EFTA-s për vite me radhë (nga viti 2010) kjo deri më tani i është refuzuar Kosovës.

Një vizë për të rritur kushton 80 euro dhe gjysma e kësaj shume, për fëmijët. Megjithatë, autoritetet zvicerane vetëm vitin e kaluar kanë lëshuar 46,000 viza për kosovarët.

Ndryshe nga kolegia e tij liberale, (Fiala) deputeti nacional  i SVP-së, partisë së njohur si konservative, Alfred Heer  nuk sheh rrezik që heqja e vizave mund të tërheqë masivisht kosovarët që të vijnë për të punuar këtu. Natyrisht, ndonjë aty këtu mund të tundohet të bëjë punë të padeklaruar (në të zezë) këtu, trasnmeton albinfo.ch. Por ai beson se duhet t’i jepet më shumë peshë aspekteve pozitive. Heer është gjithashtu në bordin këshillues të Odës Ekonomike Zvicerane-Kosovare.

Sipas politikanit Heer, kosovarët deri më tani janë trajtuar si evropianë të dorës së dytë për shkak të detyrimit  për vizë. Kjo mangësi tani përfundimisht do të eliminohet. Ndërsa politikania e FDP-së, Fiala i qëndron mendimit të saj: Ajo ka frikë se heqja e kërkesës për vizë për Kosovën do të nxisë një disponim kritik ndaj migrimit.