Kosova

Austria, në mesin e 5 vendeve kryesore me investime në Kosovë

 

Sot, ministrja Rozeta Hajdari mori pjesë në hapjen solemne të Javës së Produkteve Austriake, “Austrian Food Days“, që do të mbahet deri më 23 shkurt 2023, në Prishtinë.

Të pranishëm në hapje, përveç ambasadorit austriak, z. Christoph Weidinger, ishin edhe përfaqësues të bizneseve kosovare që janë partnerë të bizneseve austriake, përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare dhe miq të Austrisë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Hajdari vlerësoi lart bashkëpunimin e mirë ekonomik Kosovë-Austri, me treguesit në rritje të shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve. “Austria, në mesin e 5 vendeve kryesore me investime në Kosovë, është një nga partnerët më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, gjersa kjo po dëshmohet me rritjen e eksporteve të Kosovës në Austri për 21% në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021 dhe rritjen e importeve të Austrisë në Kosovë për 17.4%, për periudhën e njëjtë kohore”, tha ministrja Hajdari.

Ajo njoftoi për punën e qeverisjes në reformat legjislative për zhvillim të sektorit privat dhe rritje të konkurrueshmërisë, për një ambient të shëndoshë për të bërit biznes dhe për rritje e kujdes të investimeve në Republikën e Kosovës.Para të pranishmëve, ministrja Hajdari shpalosi edhe një nga tregimet e suksesit, në investimet e biznesit vendor në partneritet me një nga bizneset evropiane në industrinë ushqimore, e cila industri ka një përqindje të lartë të Vlerës së Shtuar të Prodhimit (VShP) për kokë banori në Kosovë. Ajo shtoj se, ndërmarrësit tanë të suksesshëm synojnë për investime në prodhim në sektorë të ndryshëm industrial, në bashkëpunim me partnerët e tyre evropian nga të cilët sot importojnë dhe furnizojnë tregun vendor.

Duke vënë në theks programin dhe reformat e tanishme për të bërit biznes, ministrja Hajdari i ftoj bizneset austriake që të investojnë në industrinë ushqimore dhe sektorë tjerë në vendin tonë, me shumë përparësi konkurruese dhe siguri për investime, duke shtuar se këto investime do të jenë sukses edhe për ata. Kurse ambasadori austriak, Weidinger, dhe shefja e zyrës komerciale të ‘Advantage Austria’ në Kosovë, Vjosa Huruglica, shprehën falënderim për prezencën e ministres Hajdari në hapjen solemne të Javës së Produkteve Austriake dhe theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të mira bilaterale në mes Kosovës dhe Austrisë në aspektin politik dhe ekonomik.