Lajme

Shpëtimtarët zviceranë shpëtuan 9 persona në Turqi

Megjithatë, 72 orë pas tërmetit, shanset për të gjetur të mbijetuar po pakësohen gjithnjë e më shumë

Zinxhiri Zviceran i Shpëtimit shpëtoi pesë persona të tjerë që ishin nën rrënoja në qytetin e goditur nga tërmeti, Hatay. Në total, pra, nëntë persona u gjetën të gjallë nga shpëtimtarët zviceranë.

Megjithatë, shanset për të gjetur të mbijetuar po pakësohen 72 orë pas tërmetit, tha sot një zëdhënës i Departamentit Federal të Punëve të Jashtme për agjencinë e lajmeve Keystone-ATS, përcjell albinfo.ch.

Zinxhiri zviceran i shpëtimit në Turqi përbëhet nga 87 ekspertë dhe tetë qen kërkimi, të cilët do të jenë në punë për dhjetë ditë. Paralelisht, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) gjithashtu do të shtojë mbështetjen e saj pas fazës së emergjencës. Rreth dhjetë anëtarë të Korpusit të Ndihmës Humanitare Zvicerane (SHA) do të udhëtojnë në Turqi të premten pasdite.