Lajme
Dy djemtë e dëshmorit Abdullah Bugari, histori suksesi në Austri
Ata janë të rinj në moshë, por të suksesshëm me bizneset e tyre në Austri. Djemtë e dëshmorit Abdullah Bugari, Nuri dhe Adri Bugari rrëfejnë për albinfo.at rrugëtimin e tyre të vështirë drejt suksesit
Vëllezërit Nuri dhe Adri Bugari janë shembull i mirë i integrimit, përkushtimit dhe angazhimit personal për arritjen e suksesit në jetë. Mediat më prestigjioze austriake në vazhdimësi shkruajnë për sukseset e tyre në biznes, por edhe për zemërgjerësinë dhe angazhimin e tyre në shumë aksione humanitare. Të dy vëllezërit kanë dy garazhe të automjeteve në Ansfelden, pak kilometra larg e qytetit Linz. Meqenëse edhe vetë ata para 25 vjetësh erdhën në Austri si refugjatë, gjatë fluksit të ukrainasve në Austri, vëllezërit Bugari kishin vendosur që gjithë reparaturën e automjeteve të refugjatëve ta bëjnë falas. Madje, një familjes ukrainase pasi që vetura e tyre ishte e pariparueshme, ata i kishin blerë një veturë tjetër për shtatë persona dhe ua kishin dhuruar që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre.
Vëllezërit Bugari: “E kemi amanet prej babës, mysafiri i largët nuk bën të kthehet pa i shtruar bukë“
Duke ditur se dy vëllezërit janë një histori suksesi në Austri, nuk kishim si mos t‘ua bënim një vizitë për të njohur më mirë dhe kuptuar sukseset por edhe rrugën e vështirë që kishin bërë për të arritur deri këtu.
Nuriu dhe Adri tashmë kanë bizneset e tyre për riparimin e automjeteve të ndryshme, të njohur si “AutoNuri&Adri Bugari”. Sapo hymë në zyrat e garazheve të tyre, Nuriu, vëllai i madh na shërbeu me nga një kafe, ndërkohe, Adri na tha: “Është kohë dreke, eja të shkojmë në drekë”. Ndonëse insistova që të rrimë aty ku ishim, çdo gjë ishte e kotë. “Jo, nuk ka shanse të kthehesh në Vjenë pa drekë“, më thotë Adri, teksa Nuriu shton: “E kemi amanet prej babës, mysafiri i largët nuk bën të kthehet pa i shtruar bukë“. Dhe ashtu ndodhi. E, në fakt këtu fillon edhe e gjithë kronologjia jetësore e vëllezërve Bugari.
Nuriu dhe Adri janë dy djemtë e heroit të kombit, Abdullah Bugarit, dëshmori i parë në Rahovec, i rënë në korrik të vitit 1998 nga forcat serbe. Në atë kohë teksa babai i tyre, Abdullahu ishte në ballë të luftës me agresorin serbë, dhe familja e tyre ishte nën tytat e policisë serbe, Nuriu, Adri, motra Arijeta dhe nëna e tyre Alltena kishin marrë rrugën për t’u larguar nga vendlindja. Pas një kalvari të vështirë gjatë rrugëtimit të tyre, ata kishin mbërritur në Austri.
Refugjatët e vegjël që pastronin borën
Fillimisht familja e Bugari u vendos në një qendër strehimoresh për refugjatë në Bad Kreuzen. Në atë kohë, Nuriu ishte 13, motra Arijeta 11 kurse Adri 9 vjeç. Jeta financiare si refugjatë ishte e vështirë për ta dhe familjen e tyre. Ndonëse ende fëmijë, ata kërkonin me çdo kusht të punonin çfarëdo që kishin mundësi. “Më kujtohet kur ishim në qendrën strehimore të refugjatëve dhe binte borë. Rrugicat e oborrit ishin të mbuluara nga bora. Portierit që rrinte tek dera e qendrës ia kërkova një lopatë për të pastruar borën. Bashkë me Adrin pastruam borën dhe liruam rrugicat që ishin në oborrin e „Heimit“ (Qendrës strehimore). Pasi përfunduam aty, portieri na tha të shkojmë të pastrojmë borë në oborrin e shtëpisë së një mikut të tij që jetonte përballë ndërtesës ku ne banonim. Kështu, vazhduam të pastronim borën e gjithë shtëpive të asaj lagje. Dikush na jepte ëmbëlsira, disa të tjerë filluan të na jepnin Schilling (monedhë austriake)”, rrëfen Nuriu për albinfo.at. Gjërat që u jepnin banorët e asaj lagje, dy djemtë i dërgonin në shtëpi. Por, kur dërgonin para në shtëpi, ata i priste „gjyqi“. Meqë djemtë ishin në moshë të fëmijërisë, nëna e tyre nuk u lejonte që paratë t‘i sjellin në shtëpi, me dyshimin që ata nuk i fitonin me punë. “Pasi që nëna nuk na lejonte që paratë t’i dërgonim në shtëpi, atëherë bashkë me Nurin e patëm hapur një gropë në oborrin e qendrës strehimore ku banonim dhe sa herë që merrnim „Schillinga“ i fshihnim aty“, shton Adri.
Si e kuptuan djemtë për vdekjen e babait të tyre, Abdullah Bugari?
Duke punuar çdo ditë, Nuri dhe Adri kishin mbledhur një shumë të madhe parash, pa e ditur vlerën e tyre. Një ditë vendosën të shkonin për të blerë një veturë të vogël elektrike e cila ecte me telekomandë, e lejuar për moshën e tyre. Kur shkuan në dyqan, shitësja u kërkon atyre që të jetë dikush i moshës madhore me ta. “Shitësja na tha se për shkak të moshës duhet të jetë prindi i juaj për ta blerë makinën. Dolëm jashtë, nuk dinim kë ta gjejmë. Rastësisht e takuam një bashkëvendës nga Rahoveci, mik i babait, bacën Ymer. I thash: A mund të vini deri në këtë dyqan, por paraqitu si babai i ynë sepse nuk po na shesin veturën. Atij menjëherë i rrodhën lotët, por megjithatë erdhi. E pyetëm pse po qan? – Ai heshti meqë e kuptoi që ne nuk dinim ende për vrasjen e babait”, shprehet Nuhiu. Për humbjen e babait të tyre nga kjo jetë, Nuri dhe Adri e kishin kuptuar vetëm pas më shumë se dy vjetësh.
Pasioni për veturat, terapia më e mirë për vëllezërit Bugari
Humbja e babait në luftë ishte një goditje e madhe emocionale për dy vëllezërit, Nuriun dhe Adrin. Vështirësitë në familjen e tyre vetëm sa u shtuan. Krahas problemeve financiare, për ta ishte i vështirë edhe integrimi në shkollë dhe mësimi i gjuhës gjermane. “Ishte kohë shumë e vështirë. Gjendja jonë shpirtërore por edhe financiare ishte shumë e rëndë. Kishim përjetuar luftën dhe humbjen e njeriut tonë të dashur, babait”, kujton Adri.
Pas nëntë muajve, familja Bugari transferohet në një qendër tjetër të refugjatëve, në Sankt Georgen. Vështirësitë nëpër të cilat i ka sprovuar jeta, i ka bërë Nurin dhe Adrin veç më të fortë. Përkundër të gjitha problemeve me të cilat ballafaqoheshin, ata nuk ndaluan duke ndjekur rrugën drejt biznesit. Shkolla në të cilën shkonin Nuri dhe Adri ishte larg 2 kilometra. Çdo ditë udhëtonin këmbë. Një ditë prej ditësh, ata i kërkuan një punonjësit të shkollës t’ua siguronte një biçikletë. Ai ua siguroi, por këtë e bëri kundrejt ndihmës për pastrimin e disa gjërave në shtëpinë e tij.
“Afër shkollës, ishte një vend ku i hidhnin gjërat e vjetra dhe të dëmtuara. Çdo të premte e prisnim kamionin që sillte gjërat e vjetra dhe bënim përzgjedhjen e atyre që ne dëshironim. Merrnim biçikleta, video rekorderë, televizorë, radio dhe pajisje të tjetra shtëpiake. I bartnim rreth 2 km deri në vendin ku banonim. Unë kam qenë “merakli” për riparimin e biçikletave dhe pajisjeve tjera, kurse Adri për ngjyrosje dhe zbukurim”, potencon Nuriu dhe shton:
“Pas një muaji e gjysmë i riparuam rreth 40 biçikleta dhe i bëmë funksionale. Biçikletat i huazonim për banorët e qendrës por edhe të lagjes që ku banonim. E bëmë si një magazinë tonën ku `shefa` ishim ne”, vazhdon rrëfimin e tij duke qeshur, Nuriu.
Prej aty familja Bugari u transferuan sërish; kësaj herë në vendin ku jetojnë aktualisht, në Ansfelden. “Njëherë deshën të na transferojnë në qytetin Linz, por dëshira e nënës ishte gjithmonë të jetonim në një vend më të vogël ku do të mund edhe ajo të na edukonte më mirë”, thotë Adri.
Pas dy vjetësh shkollë, Nuriu vazhdon shkollën profesionale për automekanik dhe autoelektricist. “Gjatë javës shkoja në shkollë, kurse të shtunën dhe të dielën shkoja në një garazh për të mësuar profesionin tim. Punoja falas vetëm për ta mësuar punën. Pas mësimit vinte edhe Adri me mua për të punuar. Edhe kur përfundonte orari i punës, ne e vazhdonim të punonim. Rrinim deri në orën 22.00-23.00 të natës. Banesën e kishim larg 13 kilometra dhe natën udhëtonim me biçikletë. Nganjëherë na zinte gjumi në garazh. Shpesh herë kemi fjetur në veturat e klientëve dhe të nesërmen në mëngjes shkonim në shkollë. Ishim pa ngrenë, dhe shokët e klasës e ndanin bukën e tyre me ne”, kujton Nuriu ato ditë të vështira nëpër të cilat kanë kaluar. Më vonë, Adri kishte filluar të punonte në një garazh tjetër, aty ku i pëlqente, në ngjyrosjen e veturave. Për disa vite Adri e kishte mësuar profesionin e tij në garazhin e një miku austriak, i cili javë më parë kishte ndërruar jetë. “Ka qenë shefi im i parë, por edhe mësuesi më i mirë i zanatit tim. I jam falënderues gjithë jetën”, shprehet i mërzitur, Adri.
“Auto Nuri” &”Adri Bugari” kanë rreth 6800 klientë të rregullt
Në vitin 2008, në moshën 21 vjeçare pas përvojës që kishte fituar por edhe një numri të klientëve që kishte rreth vetes, Nuriu hap garazhin e parë, ndërsa Adri, në vitin 2013.
Garazhet e tyre “Auto Nuri” dhe “Adri Bugari” gëzojnë respekt të madh në rajonin e Linzit por edhe më gjerë. Ata janë shumë të saktë në punën e tyre, kjo vërtetohet edhe me rritjen e numrit të klientëve. “Ne kemi klientë nga e gjithë Austria por edhe jashtë saj. Përveç klientëve tjerë, këtu ku jetojmë, kemi marrëveshje me komunën si dhe me firmat më të mëdha të ndërtimtarisë të cilët i sjellin të gjitha veturat tek ne për riparimin dhe kontrollimin teknik. Kryetarin e komunës e kemi mik të mirë dhe na viziton shpesh si dhe na falënderon për gjithë punën tonë të suksesshme”, thotë Nuriu. Sipas tyre, të dy garazhet e vëllezërve, kanë 6800 klientë të rregullt, ndërsa të punësuar, 22 punëtorë.
E derisa ishim aty ne vrejtëm edhe një veturë oldtimer “Porsche” e cila kishte ardhur nga Zvicra për zgjerimin e karoserisë (“Tuning”) për çfarë garazhi i Adrit jo vetëm që ka ekspertizën e nevojshme por edhe të drejtën e vendosjes në dokumente. “Kjo veturë është e një këngëtareje të njohur shqiptare. E kanë sjellë nga Zvicra për me e ba “Tuning” – sport. Për hire të korrektësisë nuk po ia përmendi emrin artistes”, shprehet Adri.
Mirëpo, vëllezërit Bugari nuk janë mjaftuar me sukseset e arritura. Ata vazhdojnë të investojnë në ngritjen e tyre profesionale dhe shpesh vijojnë kurse e trajnime të nivelit të lartë. “Me paratë e fituara, kam vazhduar të vijoj kurse dhe trajnime për të ndjekur zhvillimet teknologjike në fushë të makinave”, thotë Nuri. “Deri më tani kam marrë 127 diploma dhe certifikata profesionale”. Me trajnime vazhdon të merret edhe Adri, i cili flet me shumë emocione për pasionin e tij; rregullimin dhe ngjyrosjen e makinave.
Biznesi i tyre “Auto Bugari” posedon edhe kontrollimin teknik të makinave që është një arritje e madhe për një të huaj në Austri. Garazhet e tyre janë ndër të paktat garazhe në Austri që e kanë licencën e “TÜV Austria”. “Jemi ndër tri garazhet në Austri që janë të pajisura me licencën e “TÜV Austria”. Nëse dikush dëshiron të sjellë apo ka blerë ndonjë veturë jashtë Austrisë, ne ia rregullojmë të gjitha dokumentet e nevojshme duke filluar nga dokumentet doganore dhe të gjitha të tjerat. Po ashtu kemi të drejtën e rregullimit të veturave “Tuning”, sport dhe vulën e tyre të lejes në dokumente.
I gjithë suksesi i dedikohet babait të ndjerë dhe sakrificës së nënës
Gjithë suksesin e deritashëm, dy djemtë ia dedikojnë babait të tyre të ndjerë, ndërsa i janë mirënjohës nënës së tyre, e cila ka bërë sakrificë të jashtëzakonshme për rritjen dhe edukimin e tyre. “Ka qenë dëshirë e nënës prej fillimit që të dy të kemi nga një garazh”. Të dy djemtë po mundohen ta ruajnë dhe vlerësojnë lartë emrin e babait por edhe të shpërblejnë nënën e tyre për mundin që ka bërë. “Nëna, tash e 13 vjet është e regjistruar në firmën tonë. Ajo nuk punon, por merr rrogën e plotë nga buxheti i fitimeve tona. Ne jemi rritur pa babë, por nëna ka qenë edhe nënë, babë, shok dhe gjithçka për ne”, thonë të dy djemtë.
Nuri dhe Adri janë të përkushtuar që ta çojnë në vend nderin e amanetin e babait të tyre që vdiq për idealin e Kosovës. “Babai gjithmonë thoshte: Kudo ku jeni dhe kudo që jetoni, kurrë mos harroni kush jeni dhe nga vini”.
Në planet e ardhshme të tyre është zgjerimi i biznesit, ndërkohë premtojnë se shumë shpejt do të investojnë edhe në Kosovë, për të mundësuar punësimin e punëtorëve dhe mos lejimin e të rinjve për të ikur nga Kosova.
U ndamë nga vëllezërit Bugari me falënderimet për mikpritje dhe me urimin më të mirë për suksese të reja në vitin 2023!
P.S: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor