Integrimi

Fletëvotimet kanë mbërritur me post, votoni për Ylli Doko

Më 12 shkurt 2023  do të mbahen zgjedhjet kantonale në Cyrih. Edhe në këto zgjedhje  nuk do të mungojnë politikanët me rrënjë shqiptare.

Njëri ndër ta është edhe Ylli Doko. Ai në një intervistë për albinfo.ch, tregon për veten e tij, ambiciet, dhe çka premton nëse fiton një ulëse në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut nga Partia Liberale FDP.

Politika e kishte përcjell Yllin që nga mosha 14-15 vjeçare. «Aty isha thjesht një Këshilltar i Klasës dhe më pas Presidenti i parlamentit të shkollës. Edhe pse nuk është e vështirë të marrish një post në Parlamentin e shkollës, prapë se prapë aty e pashë që nëse angazhohesh për interesat tua, mundesh gjithçka të realizosh.», tregon për fillimet në politikë 30vjeçari .

Si 17 vjeçar për herë të parë kishte marrë pjesë në Seancën e Rinisë në Parlamentin e Zvicrës në Bernë. Një vit më vonë kishte kaluar në proces zgjedhor për të marrë pjesë në Seancën e Rinisë.

Doko ka sfiduar disa herë veten në zgjedhjet komunale po ashtu edhe kantonale nga regjioni i komunës së Bassersdorfit.

Tashmë është kandidat në këto zgjedhje për Parlamentin e kantonit të Cyrihut në listën me numër 3 të Partisë Liberale (FDP) nga regjjioni i komunës Bülach.

Ai ka zgjedhur FDP ngase, sipas tij, kjo parti politike mbështet lirinë individuale të qytetarëve.

Politikani me rrënjë nga Struga e Maqedonisë zotohet se do të angazhohet për mirëqenien e qytetarëve të Cyrihut. «Dua të jetoj në një shtet ku unë si qytetar mund të lëviz i lirë dhe të vendos vet si të jetoj jetën time. Unë do të luftoj kundër rregullave të kota dhe ligjeve të tepërta. Unë mbështes zgjidhje të thjeshta dhe që janë të qarta për të gjithë.», thotë Doko.

Në pyetjet për çka do t’ ju votonte një votues në përgjithësi ose një votues me prejardhje të huaj, ai përgjigjet:

«Dua të jem një shembull i një integrimi të suksesshëm në Zvicër, pa qenë i asimiluar dhe t’i ofroj të mirat e kulturës shqiptare në bashkësinë zvicerane. Dua që shqiptarët të jenë pjesë e politikës zvicerane, siç jemi pjesë në disa fusha të tjera, ku kanë përparuar shqiptarët në Zvicër. Nëse zgjidhem unë dhe më jepet mundësia të hyj në Parlamentin Kantonal të Cyrihut dua të jem zëri i komunitetit shqiptaro-zviceran dhe të luftoj për ta mbrojtur identitetin tonë shqiptar në Zvicër si dhe ta afroj komunitetin shqiptar në shoqërinë zvicerane.»

Kush është Ylli Doko?

Kam lindur në vitin 1992 në Strugë, aty ku dhe i kam bërë hapat e parë dhe kam folur fjalët e para të mia. Si shumë të tjerë nga vendi ynë në atë kohë, edhe prindërit e mi janë shpërngulur në Zvicër, ku jam rritur në Kantonin e Cugut (Zug). Aty kam pasur një fëmijëri shumë të mirë, bashkë me shumë fëmijë të tjerë shqiptarë. Në atë kohë kam qenë edhe në shkollën shqipe, ku kam mësuar abetaren dhe himnin e flamurit, kështu si dhe shumë gjëra të tjera të kulturës tonë. Në vitin 2006 familja ime ka ndërruar vendbanimin nga Cugu për në Bassersdorf të Cyrihut, ku babai im ka pasur zyrën dhe shumicën e klientëve të tij, që i ka këshilluar në çështje të sigurimeve të përgjithshme, një biznes që e kishte filluar disa vite më parë. Në Bassersdorf unë për herë të parë kam hyrë në kontakt me politikën. Aty kam mbaruar edhe shkollën obligatore që këtu i thonë “Sekundarschule”. Si shumica e nxënësve në Zvicër unë kam kërkuar, në vazhdim të shkollës të bëj një zanat. Këto zanate janë pikërisht ndër shtyllat më të rëndësishme të sistemit arsimor të Zvicrës, ku diploma praktike vlerësohet njësoj si një diplomë akademike. Por, si shumë të rinj shqiptarë në Zvicër edhe unë e kam pasur shumë të vështirë për të gjetur një zanat. Si përfundim mu dha mundësia, të prezantohem në një kompani. Mbasi munda t`i bindja për aftësitë e mia, ma ofruan të filloj zanatin për teknik të arkitekturës në një zyrë të arkitekturës me remone të madhe në Cyrih. Po edhe ajo mundësi mu dha vetëm nga angazhimi im jashtë orarit të shkollës. Sepse edhepse notat në dëftesën time ishin të mira, unë si i huaj duhej të bëja shumë më shumë se një i vendit, për të pasur një mundësi. Mbas katër viteve në zanat kam diplomuar suksesshëm teknikën e arkitekturës (“Hochbauzeichner EFZ”). Edhe pse e kam pasur në plan të vazhdoj arsimin për të marrë maturën në drejtimin e profesionit tim, unë vendosa që të shkoj në ushtri. Vetëm pak kohë para se të diplomoja, unë e kam marrë shtetësinë zvicerane. Për mua ishte çudi kur ftesa për në ushtri më erdhi para pasaportës sime të re. Por isha shumë i bindur që do të bëj shërbimin tim ushtarak në Zvicër, dhe sot e kësaj dite për atë vendim s’jam bërë kurrë pishman! Në ushtrinë e Zvicrës kam kaluar një kohë të papërshkruar me shokët e ushtrisë, me të cilët edhe sot, kur kanë kaluar disa vite, kemi një kontakt të afërt. Ndoshta duhet të përmend se në kompaninë tonë nga 150 ushtarë, kam pasur diku 30 shokë me prejardhje shqiptare. Pas ushtrisë jam kthyer në profesionin tim në arkitekturë dhe pas pune kam ndihmuar babin tim në zyrën e tij. Një kohë të gjatë kam shkuar prej punës në punë. Ka qenë edhe një kohë shumë intensive, derisa vendosa që të fiksohem për zhvillimin e kompanisë të familjes bashkë me babin tim. Tash i kam bërë disa vite që mundem të këshilloj klientët tanë në çështje të sigurimeve dhe shumë fusha të tjera të jetës. Kështu që ju ndihmoj klientëve të mi në çështjen e papunësisë, ku ju ndihmoj të plotësojnë detyrat e tyre ndaj sigurimit të papunësisë dhe i përcjell ato në terminët e tyre si përkthyes. Unë përpara e kam dashur futbollin shumë, dhe ashtu isha edhe ndër lojtarët të parë që kanë luajtur për ekipin “FC Albania Zurich”. Sot jam sekretar gjeneral i këtij ekipi futbollistik. Po jo vetëm në futboll dhe në ndeshjet e kombëtares identifikohem me prejardhjen time shqiptare, por edhe në politikë. Nga viti kaluar jam edhe anëtar i Rrjetit te Bizneseve Shqiptare në Zvicër.

/Shkrim elektoral i sponzorizuar/