Futboll

FIFA e dënon Serbinë me 50 mijë franga për ndeshjen ndaj Zvicrës

Huliganët serbë kanë fyer vazhdimisht Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën, dy lojtarët shqiptarë të Zvicrës

FIFA e ka dënuar sërish Serbinë. Federata Ndërkombëtare e Futbollit dënoi Federatën serbe me 50 mijë franga për thirrjet fyese të tifozëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Huliganët serbë kanë fyer vazhdimisht Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën, dy lojtarët shqiptarë të Zvicrës. Ndodhi kjo në Kupën e Botës në Katar, ku Zvicra fitoi 3:2, ku golin e parë e kishte shënuar Shaqiri, ndërsa Xhaka ishte zgjedhur futbollisti më i mirë i ndeshjes, përcjell albinfo.ch.

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me gjobë prej 50 mijë franga zvicerane dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (prej 25 për qind), në ndeshjen zyrtare të radhës të përfaqësueses A. Dënimi është për shkelje të neneve 13 (diskriminimi) dhe 12 (sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA”, shkruan në vendim.

FIFA ka sqaruar se bëhet fjalë për thirrjet e tifozëve serbë e po ashtu sjelljen e keqe të ekipit, përkatësisht ndëshkimin e shtatë lojtarëve të Serbisë me kartonë të verdhë.

Javë më parë FIFA e kishte dënuar federatën serbe me 20 mijë franga zvicerane për shfaqjen në zhveshtoren e Serbisë të flamurit diskriminues ndaj Kosovës.