Kosova
Energjia në punë dhe buzëqeshja: Kjo është rruga drejt suksesit
“Që nga viti 1989 kam punuar pandërprerë dhe me energji të madhe. Gjithnjë me buzëqeshje në fytyrë, edhe pse jo gjithnjë ka qenë lehtë...”, thotë “Personaliteti i Vitit 2022” në fushën e biznesit, Fehmi Fetahi
Fehmi Fetahi është tashmë një emër i përveçëm në sektorin e hotelerisë, në Kosovë. Ka më shumë se 10 vite që ai drejton me shumë sukses resorin turistik “Vali Ranch” në vendlindje, në Përlepnicë të Gjilanit. Ky resor përveç që e ka bërë të njohur Fehmiun si pronar dhe udhëheqës, ka ngritur edhe reputacionin e regjionit, si destinacion turistik.
Por, nëse në Kosovë të gjithë e lidhin Fehmi Fetahin me Vali Ranch, pak nga ta e dinë se para ranchit, bashkatdhetari i tyre kishte (dhe vazhdon ta ketë) në Zvicër, një kompani tjetër të suksesshme, atë “Fetaxid AG”. Në intervistën me rastin e shpalljes së tij “Personalitet i Vitit 2022” nga Albinfo.ch, ai shpalos detaje nga puna e tij e deritashme në Zvicër, ndërlidhur me planet që ka ende për zgjerimin e punës në Kosovë.
Albinfo.ch: Kur përmendet emri i Fehmi Fetahit, atë pashmangshëm e ndërlidhim me biznesin e Vali Rancit në Kosovë. Shumë pak dimë për Fehmiun në Zvicër
Fehmi Fetahi: Unë jam tashmë 36-37 vjet në Zvicër. Nga viti 1989 jam i pavarur. Firma FETAXID AG të cilën e kam në Zvicër, nuk është shumë e njohur te shqiptarët, pasi nuk e kemi ekspozuar shumë. Deri kohëve të fundit, që më ka zbuluar Albinfo.ch, sepse nuk e kanë ditur shumë. Kur tashmë kisha dhënë disa intervista në Kosovë dhe ka ardhur albinfo.ch të më intervistonte për punën me Vali Ranch, atëherë jam bërë i njohur.
Albinfo.ch: A mund të na tregoni pak më tepër për fillimet e kësaj firme
Fehmi Fetahi: Kam punuar në Zvicër, me dysheme. Lokacioni ka qenë në Willisau. Ishte një materie e panjohur për mua, puna e dyshemeve speciale, pasi isha teknik i dhëmbëve dhe studioja stomatologjinë. Mendoja, a mund t’ia dal? Shqiptari i parë që ka hapur biznes në Zvicër, në ndërtimtari isha unë. Sot jam shumë i lumtur që ka dhe firma të tjera. Më 2012 kam thënë se do të isha i lumtur sikur të kishte firma tjera më të suksesshme se unë dhe tashmë ka ardhur ajo kohë.
Albinfo.ch: Theksuat që kjo arritje ju ka përmbushur dhe se nuk keni nevojë për më tepër?
Fehmi Fetahi: Është e vërtetë që nuk kam nevojë të arrij më shumë, sepse i kam arritur të gjitha. Vetëm një shtëpi të pleqve nuk e kam arritur. Diçka që babai im më ka këshilluar ta bëj. Atë do ta bëj në Vali Ranch. Në mënyrë perfekte, në mënyrë moderne, me infrastrukturë, sikur të ishte në Zvicër.
Albinfo.ch: Diçka për Fehmi Fetahun si kryfamiljar?
Fehmi Fetahi: Jam i martuar që 36 vjet. Gruaja ime është Sara. Kam dy fëmijë, djalin Faikun dhe vajzën Valentinën. Që të dytë janë të angazhuar në firmën tonë si edhe bashkëshortja, Sara.
Albinfo.ch: Ndonjë gjë tjetër që mendoni se duhet theksuar?
Fehmi Fetahi: Një gjë e cila besoj vlen të përmendet është se që nga viti 1989 kam punuar pandërprerë dhe me energji të madhe. Gjithnjë me buzëqeshje në fytyrë, edhe pse jo gjithnjë ka qenë lehtë. Në atë drejtim do të kisha qenë i hapur të këshilloj bizneset, si në Zvicër, ashtu edhe në Kosovë se si të zhvillohen, sepse shpesh herë vërej mangësi.
Albinfo.ch: Për në fund, çfarë keni për të thënë për çmimin Personalitet i vitit 2022?
Fehmi Fetahi: E papërshkruar. Nuk e kam pritur nga ju, kjo ishte e papritur. I kam rreth 200 mirënjohje, por kjo për mua është e veçantë. Ju faleminderit!
Albinfo.ch: Momenti i parë me albinfon?
Fehmi Fetahi: Momenti i parë me albinfo.ch ka qenë më 2012-2013 kur jam takuar me Sevdail Tahirin. Në fillim nuk e kam ditur kush ishte, por më pas e kam parë se ja vlen. Nga ky moment jemi të pandashëm me albinfo.ch. Disa më thonë se edhe në analizat e gjakut, ADN më del albinfo.ch. Albinfo ka qenë si një fëmijë e vogël, ndërsa tani është rritur dhe është bërë e pavarur. Më pëlqen puna që bëhet, jo vetëm e tij (Sevdailit), por edhe të tjerëve.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor