Integrimi

Njihuni me zbulimin e kirurgut shqiptar Gazmend Morina  

Një firmë zvicerane do t`i plasojë së shpejti në treg kapëset kirurgjikale, inovacion i kirurgut shqiptar që jeton dhe punon në një spital të Zvicrës 

Kirurgu shqiptar, Gazmend Morina, ka patentuar javë më parë kapëse kirurgjikale, të cilat do të dalin së shpejti në treg, me emrin “Morina”. Ai ka bërë të ditur ekskluzivisht për albinfo.ch punën e tij të gjatë në gjetjen e një zgjidhjeje për lehtësimin e operacioneve te thyerjet e kockave, zakonisht kockave të gjata. Pra, bëhet fjalë për kockat e ekstremiteteve.  

“Ky inovacion, apo ky zbulim ka ardhur si rezultat i punës sime shumëvjeçare, ku gjatë reponimit të kockave shpeshherë detyroheshim të operonim në hapësira të vogla me dy e tri vegla (kapëse) që kufizonin hapësirën dhe efikasitetin e punës. Ideja më ka lindur në vitin 2020. Në pranverë të atij viti kam hulumtuar nëse ka diçka të ngjashme në treg dhe duke e parë sesa i nevojshëm është ky instrument, kam filluar të punoj, shpesh deri në gjysmë të natës, në netët pa gjumë si kirurg, e deri në përpunimin e idesë finale”, thotë Morina.  

Kapëset kirurgjikale janë patentuar dhe kanë kaluar në përgjegjësi të firmës prodhuese Ulrich AG. Dr. Gazmend Morina ndjehet i lehtësuar dhe shpreson që një ditë ato të gjenden në secilin spital të botës me emrin e tij shqiptar. Kapëset kirurgjikale do të shpërndahen tek kirurgët si mjet pune, ku fillimisht përfitojnë pacientët, sepse shkurtohet koha e operimit. Kurse kirurgët do të jenë në gjendje me një lëvizje të stabilizojnë kockat dhe të jenë më preciz e me efikas. 

“Kompania që e ka marrë përsipër prodhimin është duke punuar dhe shumë shpejt, ndoshta nuk do të kalojnë javët kur unë do ta përdor i pari në spitalin Schwyz dhe pastaj sipas rezultatit do të përdoret shpejt në mënyrë serike nga firma Ulrich, me të cilën kam një raport shumë të mirë dhe shpresoj që edhe bashkëpunimi të jetë i suksesshëm. Kjo firmë është e specializuar për instrumente kirurgjike dhe është e njohur për punën dhe cilësinë e saj. Në spitalin tonë kemi shumë produkte, instrumente të prodhuara nga kjo firmë”, shpjegon për albinfo.ch Dr. Morina. 

Por, si funksionon dhe ku e lehtëson punën ky mjet, pyesim kirurgun Morina. 

Sa i përket funksionimit të kapëseve, qëllimi është të mbahen dy pjesët e ndryshme të kockës së thyer ose edhe të kockave që janë me shumë fragmente, mirëpo kapëset (darët) e kanë funksionin të mbajnë kockën, të bëjnë “komprimimin”, siç e quajmë ne gjatë osteosynthezes në katër pika të ndryshme, pavarësisht llojit të vijës ose thyerjes, pasi kemi mundësinë të kapim kockën në katër pika, dy poshtë, dy lart, plus është hapësira që është lënë ekstra cepin apo këndin që komprimojnë në të njëjtën kohë edhe plloçën (shina) prej titani, metalike apo të çfarëdo lloji.  

I pyetur se me çfarë emri do t`i plasojë kapëset në treg, ai është i prerë: Me emrin e familjes sime, me emrin autokton shqiptar, Morina”, thotë ai.  

“Ka territor, ka fshatra rreth Gjakovës dhe në Shqipëri që mbajnë këtë emër dhe për këtë arsye do ta pagëzoj me emrin Morina”, zbulon kirurgu që nganjëherë bën deri në tetë ndërhyrje në një ditë në spitalin Schwyz, ku ka pesë vjet që punon aty.

Prindërit e kanë lënë qysh në moshën trevjeçare 

Pjesa profesionale është mjaft mbresëlënëse, por dr. Gazmendi ka edhe një pjesë tjetër interesante të jetës, fëmijërinë. Ai është rritur fëmijë jetim, pra shumë herët i kanë ikur prindërit nga kjo botë. Si është zhvilluar si fëmijë, kush e ka mbështetur dhe a e ka ndierë mungesën e prindërve, tregon Dr. Morina, duke kujtuar me mallëngjim kohën e fëmijërisë së tij. 

“Unë kam lindur në Gjakovë, në lagjen e Gecës. Është një ndër lagjet më të vjetra të qytetit. Kur unë isha vetëm tre vjet e gjysmë më ka vdekur babai ( Azizi). Kurse nëna (Halisja) më ka lëne pas një viti e disa muaj. Që prej moshës katër vjet e gjysmë kam mbetur jetim. Mirëpo mungesën e dy prindërve e kanë zëvendësuar dy motrat e mia të mrekullueshme; Sevdija dhe Lumturija. Unë jam rritur në duart e motrave, por edhe fqinjët e lagjes më trajtonin me një kujdes të veçantë. Kurse vëllezërit e mi që ishin në moshë dukshëm më të mëdhenj, kishin emigruar për punë në Perëndim. Vëllai Remi nganjëherë rrinte në Gjermani, e nganjëherë në Gjakovë. Po ashtu edhe vëllezërit e tjerë: Qamili, Hilmia, Shania duke qenë se isha fëmijë i vogël pa prindër,  

Në Kosovë shkoj të paktën dy herë në vit, kurse me familje të paktën një herë në vit. Mundohem të gjej kohë gjithmonë për familje, për fëmijët, bashkëshorten Kirsti dhe dy djemtë e mi të mrekullueshëm Jonin dhe Leonardin, me të cilët vizitojë rregullisht Kosovën.

Para pesë vjetëve ka imigruar në Zvicër 

Kirurg i përgjithshëm, kryemjek në spitalin e Schwyz-it dhe zëvendës i shefit në rehabilitacion. Titulli Dr.med që e kishte marrë në Kosovë, i është pranuar bashkë me diplomën. Shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Gjakovë. Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.  

“Në Gjermani më është kërkuar t`i përfundoj edhe disa provime për nostrifikimin e diplomës. Specializimin e kam përfunduar në Frankfurt dhe aty kam vazhduar punën si asistent. Mirëpo jam nostalgjik dhe më mungon takimi me shoqëri e bashkatdhetarë. Profesioni i kirurgut është i tillë që nuk të lë shumë hapësirë të lirë. Gjermania është e madhe dhe mbajtja e kontakteve me miq e shokë nuk është e lehtë. Ndërkohë që dija se në Zvicër sistemi shëndetësor është më i organizuar. Plus ka një numër të madh të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë këtu. Kam miq e familjarë dhe, vendosa të zhvendosem në Zvicër. Unë jam paksa nostalgjik dhe më mungonte takimi me shoqëri. Kështu që në Zvicër e plotësoj këtë vakum.  

Mund të them se motrat kanë bërë gjithçka për mua. Motra e madhe Sevdija punonte në barnatore. Fillimisht mendoja të studioja edhe unë farmacinë meqë në vitin 1984 flitej se fakulteti i Farmacisë do të hapej në Prishtinë, por gjë që në atë kohë nuk ndodhi. Kështu që vendosa të studioj medicinë, duke e ditur se gjatë jetës sime dëshiroj t`i ndihmoj njerëzimit në çdo aspekt.  Puna ime është një shpërblim, një dhuratë e mirë për të gjitha të mirat që ata kanë bërë për mua. Kjo do të jetë një dedikim për motrat, familjen, lagjen, Gjakovën dhe gjithë Kosovën, pa harruar edhe vendet ku kam kaluar një pjesë të jetës, si në Gjermani dhe Zvicër. 

 (Autor i fotografive: Armend Berisha)