Muzikë

Dua Lipa, koncert falas për shqiptarët

Dua Lipa mbyll turin botëror në Tiranë,më 28 nëntor

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zbuloi detaje nga koncerti i Dua Lipës në Tiranë më 28 nëntor, ku dha lajmin se hyrja në koncert do të jetë falas, përcjell albinfo.ch.

“Koncerti i Dua Lipës në Tiranë është falas, sepse ajo përfundon turin e saj botëror. Ne duam t’i ftojmë të gjithë. Edhe ne përfundojmë turin tonë të Tiranës, Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Dua përfundon turin e vet, kështu që vendosëm t’i bashkojmë këto përfundime iniciativash të jashtëzakonshme në Tiranë, në ditën më të bukur në botë, që është Dita e Pavarësisë, 28 Nëntori. Duam që e gjithë dita të jetë me aktivitete”, theksoi Veliaj.

Veliaj u shpreh se “do të hapet sheshi për të hyrë që nga ora 18:00 që të fillojë koncerti në orën 20:00. Do të sigurohemi që të ketë siguri dhe mjaftueshëm vende për të hyrë, sepse parashikohen qindra-mijëra të rinj që do vijnë në Tiranë. Janë zënë të gjitha dhomat, kështu që shumë prej atyre që rezervojnë në minutë të fundit, do të duhet të sistemohen me Air BNB ose edhe në konviktet tona apo te miqtë e tyre”.

“Duam të jetë një festë e madhe. Me Duan kemi përgatitur edhe disa aktivitete të tjera, për të frymëzuar historinë e dikujt që jo me llafe, por me punë i ka arritur gjërat”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë theksoi se Tirana si kryeqyteti Evropian i Rinisë ka zhvilluar më shumë se 1 mijë aktivitete rinore.