Lajme

Kurti në Vjenë: Kosova ka mjedis të favorshëm për investime

Në kuadër të pjesëmarrjes së tij si folës kryesor në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati takime të ndara me Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherësh anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum.

Kreu i qeverisë ka takuar gjithashtu edhe kryeshefin ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe kryeshefin ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch.

Bëhet e ditur se zhvillimi i sektorit postar në Kosovë ishte temë bosht në takimin në mes të kryeministrit Kurti dhe Peter Umundum, drejtor i Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë dhe anëtar i Bordit të Postës së Austrisë. U theksua angazhimi drejt modernizimit të shërbimeve si dhe mundësitë për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe shërbimeve elektronike.

“Me Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, Kryeministri Kurti foli për mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë të industrisë austriake me atë të Kosovës, si dhe potencialin e mërgatës, si urë lidhëse mes të dyja vendeve.

Duke folur për mundësitë për investime në Kosovë, në takimet e ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International,  Johann Strobl, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Kryeministri Kurti theksoi se krahas pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Republika e Kosovës ofron mjedis të favorshëm për investime. Ai veçoi rritjen ekonomike, borxhin e ulët publik, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Gjithashtu bëhet e ditur se në këto takime u theksuan arsyet e qëndrueshme për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave.