Lajme

Austri: Biletat e ÖBB-së rriten për rreth 4 për qind

Megjithatë, udhëtarët që rezervojnë biletat e tyre më herët, do të vazhdojnë t’i marrin biletat me çmimet e vjetra

Hekurudhat Federale Austriake(ÖBB) kanë njoftuar për një rritje të çmimeve të biletave në dhjetor. Kështu që, udhëtimet me tren në klasin e dytë në të ardhmen do të jenë 3.9 për qind më shtrenjtë. Në ÖBB theksojnë se kjo rritje është nën normën e inflacionit. Megjithatë, siç bën të ditur ÖBB-ja, udhëtarët që rezervojnë biletat e tyre më herët do të vazhdojnë t’i marrin biletat me çmimet e vjetra, raporton albinfo.at.

Presioni i fortë i kostos për shkak të rritjes masive të çmimeve të energjisë e bën të nevojshme rritjen e çmimit në ÖBB në dhjetor.

Sipas ÖBB-së, një biletë udhëtimi nga St. Pölten në Vjenë kushton aktualisht 14.40 euro. Me rritjen e çmimit, në të ardhmen udhëtimi do të kushtojë rreth 60 centë më shumë, përcjell albinfo.at.

Por, edhe pas dhjetorit do të vazhdojë i njëjti sistem. Ata që biletat i rezervojnë më herët, mund t’ i blejnë më lirë. Sipas ÖBB-së, udhëtarët që rezervojnë biletat e tyre të paktën 15 ditë përpara në sportel, automate të biletave, online ose në aplikacion, do të paguajnë çmimin e vjetër.