Lajme

Ministri i Jashtëm austriak: Liberalizimi i vizave për Kosovën është afër

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg është shprehur optimist se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodh një të ardhme të afërt

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, pas takimit që ka pasur të martën në Vjenë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Austria ka mbështetur Kosovën gjithmonë, edhe para luftës së Kosovës.

“Të gjitha shtetet e Ballkanit i takojnë BE-së. Unë shpresoj se për një kohë të shkurtër të ndodh liberalizmi i vizave për Kosovë”, ka thënë ai pas takimit me ministren Gërvalla.

Po ashtu, ai ka përmendur normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është një shpresë që të gjendet një gatishmëri për kompromis”, shtoi Schallenber, përcjell albinfo.at

Në anën tjetër, ministrja Gërvalla- Schwarz, e ka falënderuar Austrinë për mbështetjen ndaj Kosovës.

“Mbi 90 për qind e popullit të Kosovës e mbështetësin rrugën për BE dhe NATO, ne jemi evropian. Austria është e mirëseardhur në Kosovë, unë dëshiroj të ftoj konkretisht të vini në Kosovë dhe të investoni atje”, ka theksuar ajo.

Gërvalla tha se Serbia nuk e ka respektuar në rastet të ndryshme sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Gjatë verës kemi pasur një zhvillim prej qeverisë sonë, ka pasur një tentim për të vazhduar rregullimin e marrëdhënieve dhe të hyjmë në një marrëveshje me Serbinë, por ajo nuk ka funksionuar”, ka nënvizuar ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.

Sipas saj shteti fqinjë, Serbia ka bërë kërcënime ndaj Kosovës.

“Serbia ka sjellë ushtrinë e saj afër kufirit. Edhe ambasadori rus ishte në kufi ku ka inspektuar ushtrinë serbe, kjo situatë është tejkaluar me ndihmën e NATO-s”, theksoi ajo.