Lajme

Drin Alaj merr më së shumti vota në zgjedhjet komunale dhe kantonale

Me gjithsej 5327 vota në të dy palë zgjedhjet, ai ka treguar rezultatin e dytë më të mirë në komunën Cham dhe të parin, në kantonin Zug

“5327 x FALEMINDERIT CHAM!”. Me këtë afishe simbolike u drejtohet Drin Alaj nga SP (Partia Socialdemokrate) bashkëqytetarëve të tij të komunës Cham, gjegjësisht 5327 vetave që i kanë dhënë atij votën për tu zgjedhur në asamblenë Komunale të Cham-it dhe në Parlamentin Kantonal të Zug-ut, shkruan albinfo.ch.

“Jam i emocionuar dhe shumë i lumtur që mund të përfaqësoj popullin e komunës Cham edhe për katër vite të tjera dhe të ndihmoj në ngritjen e komunës sonë të bukur”, shkruan Alaj duke ju drejtuar zgjedhësve të tij dhe qytetarëve të tjerë të komunës Cham.

“Jam zgjedhur në Asamblenë komunale me rezultatin e dytë më të mirë dhe rreth 100% më shumë vota se në zgjedhjet e 2018-ës. Ndërsa rizgjedhja në Parlamentin Kantonal ishte sërish e suksesshme dhe me rezultatin më të mirë.

Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për këtë. Faleminderit për mbështetjen tuaj të madhe, fjalët motivuese dhe mbështetjen tuaj. Faleminderit për besimin tuaj!”, përfundon teksti falënderues i Drinit.

Drin Alaj është i lindur më 22 shkurt 1990, është i martuar dhe ka një fëmijë.