Lajme

Nis peticioni për “pensione të drejta”: Mbi 100,000 nënshkrime në 24 orë

"Fakti që kaq shumë nënshkrime janë mbledhur në një kohë kaq të shkurtër tregon se përkeqësimi i të ardhurave po prek shumë gra"

Pas votimit të ngushtë  me “Po” të iniciativës për rishikimin e AHV-së, sindikatat, qysh në mbrëmjen e së dielës kanë nisur peticionin për “pensione të drejta dhe paga të barabarta”, transmeton albinfo.ch. Mbi 100,000 nënshkrime u mblodhën brenda 24 orëve.

Miratimi i Reformës së AHV ka zhgënjyer shumë njerëz në Zvicër. Po kështu edhe politikanen e PS-së, Tamara Funiciello (32): “Ajo që mbetet është zemërimi dhe zhgënjimi”, ka thënë ajo të hënën pasdite në demonstrimin e AHV në Bernë, për të cilën kishin bërë thirrje qarqet e majta.

Jo vetëm politikania e PS-së është e zemëruar – janë pa dyshim të paktën edhe mbi 125,000 njerëz në po këtë gjendje, shkruan blick.ch. Kjo është arsyeja pse ata nënshkruan një peticion nga Federata Zvicerane e Sindikatave (SGB).

SGB-ja e kishte dërguar “Deklaratën e 25 shtatorit” mbrëmjen e votimit të së dielës. Posta qarkore pati efekt: brenda 24 orëve, më shumë se 100,000 njerëz kishin nënshkruar tashmë apelin.

“Fakti që kaq shumë nënshkrime janë mbledhur në një kohë kaq të shkurtër tregon se përkeqësimi i të ardhurave po prek shumë gra”, thotë Sekretarja Qendrore e SGB, Gabriela Medici (37). Me deklaratën e saj, SGB dëshiron t’u japë të prekurve një platformë për të shprehur zhgënjimin e tyre me rezultatin e votimit.

Pavarësisht se ka humbur votën, SGB është luftarake: “Jemi të zemëruar. Vazhdojmë të luftojmë!”, është titulli i deklaratës, transmeton albinfo.ch. Reduktimi i njëanshëm i AHV në kurriz të grave është një pengesë për barazinë, sipas apelit.

“Ne, gra dhe burra, deklarojmë sot: Nuk pranojmë që gratë të trajtohen kështu. Sindikatat kërkojnë nga politikanët pensione të drejta dhe paga të barabarta.

Në postën qarkore, SGB kërkon që deklarata t’u përcillet miqve dhe të njohurve përmes Whatsapp. Kështu duhet të përhapet apeli në gjithë vendin.

Federata sindikale e mbyll emailin e tij me fjalë falënderimi. Pavarësisht humbjes së ngushtë në kutinë e votimit, ata kanë arritur shumë. Është e rëndësishme të mos dorëzoheni tani, përcjell albinfo.ch.

Medici nga SGB thotë: “Në muajt e fundit grave u janë bërë shumë premtime: përmirësime në paga, pensione, punë përkujdesjeje. Në më pak se 48 orë, më shumë se 125,000 njerëz thanë: Këto premtime duhet të zbatohen shpejt dhe konkretisht.

Rrethet feministe kanë paralajmëruar tashmë grevën e radhës të grave për 14 qershor 2023.