Futboll

Futbolli, dashuria e vërtetë e Fatlum Krekës

Kur fillon me futbollin është vështirë t’i largohesh! Kështu po ndodh me lojtarin shqiptar që luan në Austri, madje në dy fusha me dimensione të ndryshme

Fatlum Kreka, futbollisti që jeton në Austri, prejardhjen e ka nga Struga e Maqedonisë së Veriut. Ai me futbollin filloi qysh në moshën 12-vjeçare, duke luajtur për klubin FAC/Florisdorf.

Pasioni për futbollin dhe ftesa e Austrisë

Futbolli është dashuria e vërtetë e të riut shqiptar. Ai, përveç se luan në futboll të madh, për skuadrën e SV Schwechat në Ligën e Vjenës, merr pjesë edhe në ndeshjet e futsallit. Madje, arritja historike e tij, së fundmi ishte ftesa nga Kombëtarja e Austrisë për ndeshjet para-kualifikuese për Botërorin 2024.

“Jam adhurues i futbollit, si të madh ashtu edhe të vogël. Luaj në Ligën e Parë të Austrisë në futsall, aty ku e kemi fituar edhe kupën dhe jemi renditur si nën-kampion, pra vendi i dytë. Ftesën nga Austria, vërtetë e prita me shumë emocion”, ka thënë për albinfo.at futbollisti shqiptar.

Paraqitjet me Kombëtaren e Austrisë në para-kualifikimet për Botëror 

Kombëtarja e Austrisë në futsall gjatë muajit prill zhvilloi tre takime, ku arriti një fitore, një humbje dhe një barazim. Madje, fitoren e vetme ‘shqiponjat’ e arritën kundër Kombëtares së Shqipërisë me rezultat 3-2.

Kreka gjatë këtyre paraqitjeve shënoi një gol, por futbollisti u shpreh tejet i kënaqur me debutimin e tij në arenën ndërkombëtare me shtetin e Austrisë.

“Për para-kualifikimet e Botërorit tregova kualitetet e mia të veçanta duke shënuar kështu një gol ndaj Suedisë. Po ashtu një paraqitje fantastike e zhvillova edhe në ndeshjen kundër Shqipërisë. Shpresoj që në raundin tjetër, që nis nga shtatori ne të kualifikohemi në Kupën e Botës”, u shpreh Fatlum Kreka.

Kontaktet me Kosovën apo Shqipërinë dhe vazhdimi i karrierës?

26-vjeçari dikur ka luajtur edhe për klubin e FC Mannsdorf. I pyetur se a ka pasur ndonjë interesim nga Shqipëria apo Kosova për ta përfaqësuar ndonjërin shtet në futsall, ai u përgjigj: “Asnjëherë nuk kam pasur bisedime me Kombëtaren e Shqipërisë apo atë të Kosovës në lidhje me këtë. Edhe pse unë kam shumë shokë nga Kosova”, tha 26-vjecari.

Në futbollin e madh, pozita e preferuar e futbollistit shqiptar është mesfusha. Ai pëlqen klubin nga Anglia, Tottenham Hotspur – kurse futbollisti i tij i preferuar është Gareth Bale.

Kreka shpreson që të jetë aktiv edhe për shumë vjet me futbollin e madh dhe me atë të futsallit.

Emri i tij figuron edhe në sajtin e njohur të futbollit botëror ‘Transfermarkt’. Statistikat e tij të fundit janë tejet pozitive. Në 23 paraqitje deri më tani këtë sezon për SV Schwechat, futbollisti shqiptar ka shënuar 10 gola.

Box

Nuk më kanë kontaktuar as Kosova dhe as Shqipëria

I pyetur se a ka pasur ndonjë interesim nga Shqipëria apo Kosova për ta përfaqësuar ndonjërin shtet në futsall, ai u përgjigj: “Asnjëherë nuk kam pasur bisedime me Kombëtaren e Shqipërisë apo atë të Kosovës në lidhje me këtë. Edhe pse unë kam shumë shokë nga Kosova”.