Lajme
“Ditari.mama”, një ditar për të gjitha nënat
Ideja për të hapur një blog të tillë, Censila Caka – Laskut i ka ardhur nga empatia, ndjeshmëria dhe dëshira për të ndihmuar dhe mbështetur çdo nënë që troket në faqen e saj
Faqen e Censila Caka-Laskut e zbulova rastësisht në Instagram, duke kërkuar si nënë e re disa këshilla rreth rritjes së shëndetshme të fëmijëve. Pasi zbulova, menjëherë më ra në sy së pari një nënë shqiptare dhe së dyti autenticitet dhe thjeshtësi, dy karakteristikat më të spikatura të nënave tona. Censila Caka-Lasku është jurıste e diplomuar në Turqi, në Ankara, e licencuar si avokate ne Shqipëri dhe në mbarim e sipër të një masteri në Universitetin e Vjenës.
Ajo ka rreth 11 vjet që jeton në Austri, ku më parë ka ushtruar për kohë të gjatë profesionin. Kjo deri në momentin që është martuar dhe bërë me fëmijë, siç thotë vetë ajo: “Jam e martuar me babushin dhe bashkëshortin me shpirt të bukur nga Gjakova, arkitektin Drilon Lasku. Kemi dy yje të vegjël, ata janë frytet e dashurisë tonë që na e ndriçojnë jetën çdo ditë. Tani jam “fulltime” mami e dy djemve: Jon dhe Marin. Për momentin po shijoj çdo ditë lejen e lindjes duke ju përkushtuar dy fëmijëve të mi me shumë dashuri. Jam një mami e thjeshtë, me përgjegjësi të madhe ndaj fëmijëve që si prioritet në edukimin e tyre kam detyrën të rris dhe të edukoj dy njerëz që në radhë të parë të kenë shpirtin e bukur dhe të madh, të kenë ndjeshmërinë e lartë e të qenit njëri dhe vetëbesimin për të arritur çdo të pamundur me vendosmëri“.
Ajo shprehet se stacioni më kryesor i jetës së saj është bërë tashmë familja. Censila beson që në jetë edukimi dhe njohuria e vetë nënës, pozita e saj ekonomike dhe suksesi ndikojnë në të ardhmen e brezit që ajo rrit, dhe kjo lidhet në mënyrë perfekte me thënien: “Nëse do të ndryshosh botën, atëherë duhet të fillosh nga fëmijët”.
Blogu “ditari.mama”
Ideja për të hapur një blog të tillë, Censila Caka – Laskut i ka ardhur nga empatia, ndjeshmëria dhe dëshira për të ndihmuar dhe mbështetur çdo nënë që troket në faqen e saj. Qëllimi janë nënat shqiptare, duke i dhënë përparësi atyre që jetojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, por edhe për mbështetje në lidhje me zhvillimin ose edukimin e tyre si „nënë“. Censila këshillon në radhë të parë: „Për të pasur pasardhës të shëndetshëm roli i një nëne të edukuar është shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye, unë jo vetëm me përvojat e mia, por duke marrë ndihmën e profesionistëve të ndryshëm si logoped, psikiatër, pedagog etj., bëj lidhje live duke biseduar rreth temave të ndryshme mbi fëmijët dhe prindërimin për t’i ndriçuar rrugën çdo nëne që tashmë është në faqen time dhe pjesë e jetës time. Pasi u bëra nënë vetë doja me patjetër që çdo përvojë që përjetoja në jetën time, ta ndaja me nënat për t’i mbështetur ato në këtë rrugëtim kaq të shenjtë, por dhe aq të vështirë, thotë Censila.
Në këtë blog ju do të gjeni shumë mesazhe kryesore, por primar është edukimi dhe pozicionimi i vetë nënës siç thekson dhe Censila: “Unë mendoj se edukimi i një nëne duhet dhe konsiderohet me të drejtë si një aspekt kritik për fuqizimin e grave pasi bëhet një mjet i fuqishëm në duart e saj. Ajo mund ta përdorë këtë mjet për të nxitur një brez të ri drejt ndryshimit social, veçanërisht në vendet në zhvillim, ku arsimi cilësor është ende shumë i vështirë për shumicën e fëmijëve si në Shqipëri apo Kosovë. Nënat janë një ndikues vendimtar në jetën e fëmijëve të tyre ku dashuria dhe kujdesi që ato ofrojnë, veçanërisht në vitet e formimit, i formon fëmijët e tyre në të rriturit që janë të destinuar të bëhen. … Nëna është burimi i jetës është ajo që fal jetë nga trupi i saj duke sakrifikuar gjithçka për të plotësuar çdo mungesë të fëmijës. Është ajo që përjeton dhimbjet më të mëdha gjatë lindjes, por dhe ajo që nuk heziton t’i përjetojë ato sërish duke lindur edhe fëmijën e dytë apo të tretë…Unë dua që nënat të ndihen më të forta, më të vlerësuara, më të edukuara, më me vetëbesim dhe më të motivuara për të rritur dhe edukuar një njëri të dobishëm për familjen e tij, por edhe për të gjithë njerëzit që e rrethojnë atë“, thotë ajo.
Pozitiviteti dhe edukimi i vetë nënës
Përpos edukimit të nënës, përbën pozitiviteti, fjala e ëmbël apo buzëqeshja një shtyllë të rëndësishme në rritjen e fëmijës, sepse bota ka nevojë për njerëz që besojnë në mirësi dhe e falin atë pa interes… “Një nënë e edukuar do të ketë pritshmëri të mëdha për suksesin arsimor të fëmijëve të saj dhe vazhdimisht do t’i inkurajojë ata që të zhvillojnë pritshmëri të larta. Prandaj edukimi është domosdoshmëri dhe unë dua me shpirt të mbështes çdo nënë në këtë drejtim.“,- thekson më tej Censila.
Shëndeti mendor dhe fizik, ndikimi kryesor në zhvillim
Shëndeti mendor dhe fizik i fëmijës do inkurajim dhe inkurajimi i zhvillimit do të thotë t’u japësh fëmijëve mbështetje dhe hapësirë për të zhvilluar personalitetin dhe aftësitë e tyre individuale. Censila shpjegon se herë pas here do të përballemi me kufijtë tanë në jetën e përditshme me fëmijët. Dhe për fat të mirë, fëmijët nuk kanë nevojë dhe as nuk duan prindër të përsosur. Ajo shprehet me tej: „…Fëmijët thjesht duan kujdestarë tek të cilët mund të mbështeten, mund të marrin dashuri pa limit dhe kjo dashuri duhet të jetë e ndërtuar shpirtërisht dhe jo materialisht. Prindërit që i pranojnë dhe i mirëpresin me të gjitha pikat e forta dhe të dobëta dhe janë të gatshëm të udhëhiqen nga mosha dhe nevojat e tyre zhvillimore. Ky është parakushti më i mirë që të zhvillohet një marrëdhënie besimi mes jush dhe fëmijës tuaj. Kjo lidhje mes jush dhe fëmijës formon bazën mbi të cilën ai mund të zhvillohet fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht në një mënyrë të tillë që të mund të marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësi për mirëqenien e tij ndërsa rritet. Çdo fëmijë që tolerohet me dashuri, i jepet koha e duhur për të shfaqur ndjenjat e tij lirisht dhe pa frikë, ai nuk do të rrëzohet lehtë, por dhe nëse rrëzohet do të ngrihet shpejt në jetën e tij.“
Disa këshilla të vlefshme nga Censila rreth fëmijëve të vegjël
1. Mos u mundoni t’i mësoni fëmijës tuaj diçka për të cilën ai nuk është gati
2. Vendosni pritshmëri realiste kundrejt fëmijës tuaj, nëse keni dyshime, pyesni pediatrin apo specialistin. Mos i krahasoni kurrë fëmijët, ata mund të tregojnë zhvillime të ndryshme si nga zhvillimi i aftësive, por po ashtu edhe nga zhvillimi emocional.Përputhni sugjerimet tuaja me interesat e fëmijës tuaj. Jo të bëhet çfarë thoni ju, por të dyja anët të jenë të kënaqur në sugjerimet që jepni.
3. Përputhni sugjerimet tuaja me interesat e fëmijës tuaj. Jo të bëhet çfarë thoni ju, por të dyja anët të jenë të kënaqur në sugjerimet që jepni.
4. Inkurajoni dhe lavdëroni fëmijën tuaj kur ai dëshiron të bëjë diçka me dëshirën e tij dhe gëzohuni me të për gjithçka që ka mësuar.
5. Jepini fëmijës tuaj mundësinë që të përdorë aftësitë e tij në jetën e përditshme. Çdo veprim i tij i forcon vetëvlerësimin dhe i jep vetëbesim dhe siguri. Mos i bëni gjërat në vend të tij, por tregoni si të veprojë. Kjo është edhe përshkrimi i edukimit “Montessori”, mos e bej në vendin tim, por ma trego si ta bëj vetë.”
6. Mos e dekurajoni fëmijën tuaj nëse diçka nuk funksionon menjëherë. Nxiteni të provojë gjëra të reja dhe jepini pak ndihmë nëse ju duket e nevojshme.
7. Ndihmojeni fëmijën tuaj vetëm me gjëra që ai (ende) nuk është në gjendje t’i bëjë vetë. Për ato që mundet lërjani gjithmonë përgjegjësinë atij.
8. Mos kini frikë ta lini fëmijën tuaj të zhgënjehet. Fëmijët duhet të mësojnë të përballen me zhgënjimet dhe pengesat dhe të mos të lejojnë që ato t’i dekurajojnë. Kjo është gjithashtu e vërtetë nëse fëmija juaj është i vonuar në zhvillim ose ka një paaftësi dhe ju mund ta keni veçanërisht të vështirë të shihni zhgënjimin e tij kur ata dështojnë. Por më besoni se kjo do ta bëjë më të fortë.
9. Tregojini fëmijës tuaj qartë dhe pa mëdyshje kur dëshironi diçka prej tij dhe mos i jepni shumë udhëzime menjëherë. Flisni fëmijës si një individ dhe jo si dikush që nuk kupton, gjithmonë merreni seriozisht kur ai do tj’u tregoj diçka, nëse keni punë në dorë lëreni, uluni me atë bashkë dhe dëgjoni si një i madh.
10. Ofroni fëmijës tuaj mundësi të shpeshta për të luajtur me fëmijët e tjerë, veçanërisht kur ata janë më të rritur. Shkoni në këndet e lojërave, ftoni fëmijët në shtëpinë tuaj, lërini të shkojnë në çerdhe ose kopsht, sepse do e ndihmojë shumë në socializmin dhe zhvillimin e tij.
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert Të apasionuarit pas skijimit janë duke buzëqeshur. Reshjet e fundit të borës kanë lejuar vendpushimet e...
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara