Lajme

Ku ka arritur nisma për vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Vjenë

Për të ngritur një shtatore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Vjenë, tashmë janë angazhuar përfaqësuesit kryesorë të dy shteteve tona shqiptare në Austri: Ambasada e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. albinfo.at tregon se deri ku ka arritur kjo iniciativë

Çdo komb ka një hero kombëtar. Por, rrallë i ndodh një kombi të vogël, si kombi shqiptar, që të ketë një figurë kaq të madhe, siç është  Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Heroi ynë kombëtar frymëzoi breza të tërë për të mbajtur gjallë frymën e kombit, gjuhën shqipe, unitetin midis nesh, identitetin tonë.

Skënderbeu nuk është sot vetëm simbol i kombit shqiptar, por edhe mbrojtësi i civilizimit perëndimor të shekullit XV.

Për nder të veprimtarisë së tij, sot shtatorja e Skënderbeut gjendet në qendra të mëdha botërore. Por, një shtatore e tillë ende i mungon njërës nga qendrat më të mëdha evropiane, siç është Vjena. Pavarësisht nismave nga shoqata të ndryshme për marrjen e lejes për hapësirën ku do të vendosej shtatorja e Skënderbeut, deri më tash ende nuk ka asgjë konkrete. Megjithatë, duket se kjo nismë nuk do të ndalet deri në realizimin e saj. Tashmë për të janë angazhuar përfaqësuesit kryesorë diplomatikë të dy shteteve tona shqiptare në Austri: Ambasada e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Për të mësuar se deri ku ka shkuar kjo iniciativë e këtij projekti madhështor, albinfo.at sjell detajet.

Blerim Sadiku, kryetar shoqatës “Kërçova”, Vjenë

Dy herë dërguam kërkesën, dy herë na refuzuan

Që nga viti 2020 shoqata shqiptare “Kërçova” në Vjenë kishte bërë kërkesë në Bashkinë e Vjenës për t’u pajisur me lejen e hapësirës për ngritjen e shtatores së Skënderbeut në Vjenë. Por, vetëm pak muaj më vonë, kërkesa e saj ishte refuzuar.

“Ne si shoqatë, përmes kryetarit të nderit, z. Halil Halili, në shtator të vitit 2020 kemi bërë kërkesë për të na u lejuar një hapësirë për vendosjen e shtatores së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Vendi i kërkuar nga ne ishte në Heldenplatz, aty ku gjenden edhe armët e heroit tonë. Kërkesa i është dërguar Bashkisë së Vjenës, së bashku me të gjitha detajet e planit se si do të duket shtatorja. Më datën 29 dhjetor 2020 marrim përgjigje negative, në të cilën thuhej: ‘Projekti për shtatoren e George Kastrioti (genannt: Skanderbeg) është diskutuar në detaje. Fatkeqësisht, bordi nuk mund të rekomandojë ngritjen e një monumenti të Skënderbeut në hapësirat publike në Vjenë’, citon përgjigjen e Bashkisë së Vjenës kryetari i shoqatës “Kërçova”, Blerim Sadiku.

Pavarësisht kësaj, shoqata ka bërë edhe një kërkesë tjetër në vitin 2021. Kësaj radhe ata kanë kërkuar që shtatorja e Skënderbeut të vendoset në qarkun (Bezirk) e 22-të të Vjenës, përkatësisht në parkun e “Vienna International Center”, i njohur ndryshe edhe si Donaupark, aty ku gjenden shumë shtatore të tjera, në mesin e tyre edhe skulptura e aktorit shqiptar me famë botërore, Aleksandër Moisiut. Por, siç shprehet Blerim Sadiku për albinfo.at, nga autoritetet austriake kanë marrë sërish të njëjtën përgjigje. “Drejtoria e Kulturës së Vjenës (MA7) është përgjigjur duke thënë se bordi momentalisht ka vendosur që të mos lëshojë leje për vendosjen e monumentit të Gjergj Kastriotit në hapësirën e kërkuar”, shton ai.

 

Roland Bimo, ambasador i Shqipërisë në Austri

Ambasadorët shqiptarë në Austri, të vendosur për ta realizuar projektin

Por, duket se iniciativa për ngritjen e shtatores së Skënderbeut në Vjenë nuk do të ndalet, deri në realizimin e saj. Këtë herë kjo iniciativë është vendosur në nivelin më të lartë të përfaqësimit të shteteve shqiptare në Austri, pra, nga Ambasada e Kosovës dhe e ajo e Shqipërisë.

Angazhimi i dy shteteve shqiptare është në drejtim të duhur, por gjithç,ka duhet të shkojë në nivel diplomatik dhe duke respektuar gjithmonë marrëdhëniet shqiptare – austriake.

Në lidhje më këtë nismë, ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo për albinfo.at thekson: “Ne do të bëjmë lobimet e nevojshme për të ndikuar tek institucionet vendimmarrëse austriake për të realizuar projektin e vendosjes së një përkujtimoreje të Skënderbeut në Vjenë. Projekt- plani për ndërtimin e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ekziston.

Prej disa vitesh (që unë jam në Vjenë, por edhe më parë) të dy ambasadat si e Shqipërisë edhe e Kosovës, e kanë në prioritetet e tyre punën për vendosjen e përmendores së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, në Vjenë. Nga takimet që kemi marrë me autoritetet përkatëse për këtë qëllim, gradualisht kemi mësuar shumë për hapat që duhen hedhur e njëkohësisht jemi ndërgjegjësuar se është një proces i gjatë, i vështirë dhe i ndërlikuar në të cilin ndërthuren shumë faktorë, historikë e kulturorë, urbanistikë dhe artistikë, e pse jo edhe politikë. Mbi të gjitha na duhet të njohim saktë e mirë procesin vendimmarrës”, ka theksuar Bimo.

Vjena është qytet i madh e shumë i bukur. Nga ana tjetër, edhe heroi ynë kombëtar është një figurë e madhe shumëdimensionale e cila meriton një vend të nderuar në përputhje me madhështinë e saj. Fundja të gjithë bien dakord se vepra e Skënderbeut nuk i takon vetëm popullit shqiptar.

“Së bashku me ambasadorin e Kosovës z. Lulzim Pllana jemi duke mësuar se çfarë duhet të bëjmë, njihemi me strukturat vendimmarrëse, Këshillat Artistike, Urbanistike e Administrative dhe njëkohësisht duke plotësuar një dosje me materialet e nevojshme për të bindur vendimmarrësit për avantazhet e këtij projekti, si në këndvështrimin e historisë, të rëndësisë për komunitetet e shqiptareve në Austri dhe për vetë qytetin e Vjenës dhe shtetin austriak. Në këtë argumentim e lobim një vend të rëndësishëm zënë edhe komuniteti i konsiderueshëm i shqiptarëve në Austri, tashmë shumë mirë i  integruar dhe faktor me peshë në shoqërinë austriake. Por, një gjë mund të them se shoqata shqiptare “Kërçova” e ka meritën e vet të madhe për iniciativën që ka marrë dhe për faktin që mban gjallë historinë e heroit tonë kombëtar”, ka shtuar ambasadori Bimo.

Lulzim Pllana, ambasador i Republikës së Kosovës në Austri

E që, kjo iniciativë është marrë me shumë seriozitet, e dëshmon edhe angazhimi maksimal dhe i drejtpërdrejtë i  ambasadorit të Kosovës, Lulzim Pllana.

Sipas z.Pllana, në një të ardhme të afërt do të kenë takime me kryetarin e Bashkisë së Vjenës, Michael Ludwig, takim i cili do të jetë diplomatik dhe nuk do të jetë publik për media deri në hapat konkretë rreth nismës. “Për të arritur këtë qëllim duhet të veprojmë së bashku të gjithë ne shqiptarët që të kemi një përkujtimore siç e meriton hero ynë kombëtar, Skënderbeu. Një ide apo dy i kemi, por fillimisht si përfaqësues diplomatik duhet t’i sqarojmë palës austriake pjesën historike, shkencore e kulturore. Së dyti, vendosja e një shtatoreje ka një rëndësi të veçantë politike  për vendet tona me shtetin e Austrisë. Siç e dini viti 2022 është viti i shënimit të 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë. Ne si përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë dhe Kosovës nuk kemi marrë asnjë përgjigje negative, por në koordinim me Bashkinë e Vjenës jemi në përgatitje të planit gjithëpërfshirës me të cilën do të kërkojmë edhe zyrtarisht për lejen e hapësirës dhe vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në Vjenë”, shprehet ambasadori Pllana.

Gjon Keka, studius i epokës së Skenderbeut

Shtatorja e Skënderbeut do t’i jepte madhështi edhe Vjenës

Vendosja e një shtatoreje të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut do ta bënte Vjenën metropol të plotësuar me figurën ndër më të rëndësishmet të Evropës mesjetare, figurë që frymëzoi shumë popuj e kombe të Evropës.

Duke u mbështetur në fakte historike studiuesi i epokës së Skënderbeut z. Gjon Keka i cili jeton në Grac të Austrisë, thekson: ”Duke qenë se ai ka armët (përkrenaren dhe dy shpatat e tij) në muzeun e Vjenës edhe një shtatore e shoqëruar me një emër parku të tij, do të ishte një plotësim apo përmbushje. Po ashtu do të ishte mirë nëse do të vendosej afër sheshit Heldenplatz, për t‘ju bashkuar heronjve të tjerë bashkë me personalitetet austriake të kohëve të ndryshme historike”, shprehet Gjon Keka.

Se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu kishte letër këmbime të ndryshme publike dhe diplomatike në atë kohë  edhe  me Vjenën e Perandorisë Austro- Hungareze, këtë më së miri e sqaron vet z. Keka: “Perandori i Austrisë, Maximilan, ishte bashkëkohës i Skënderbeut dhe, në bazë të dokumenteve historike thuhet se familja e tij perandorake ka pasur komunikim me mbretin e  Shqipërisë. Thuhet se Familja Perandorake kishte kërkuar një nga shpatat e Skënderbeut, për ta përdorur në një nga betejat. Për të qenë realist, ndoshta Skënderbeu dhe Perandori e Arkiduka  Maximilian I nuk janë takuar, por sigurisht i ati dhe familja e Hasburgëve kanë pasur komunikime nëpërmjet ambasadorëve. Prinzi Eugen ishte frymëzuar nga veprat e Skënderbeut, ashtu sikur ishte i frymëzuar  perandori Franz Jozef, i cili edhe e kishte për zemër popullin shqiptar, popullin e Skënderbeut sikur e quanin në atë kohë“, thotë ai.

Tutje z.Keka do të dëshironte që kësaj iniciative t’i bashkohet edhe studiuesi i njohur në Austri, profesor Oliver J.Scmitt.

Vendosja e shtatores së të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Vjenë, së bashku me armët e tij të famshme, do të ishte një vepër madhështore për popullin tonë, dhe për miliona turistë nga mbarë bota që vizitojnë Vjenën. Vendosja e saj do të dëshmonte edhe më shumë raportet e mira miqësore mes popullit shqiptar dhe atij austriak.

 

Box

Shtatorja e Skënderbeut do të ishte një përmbushje edhe për Vjenën

Duke u mbështetur në fakte historike, studiuesi i epokës së Skënderbeut, z. Gjon Keka, thekson: “Duke qenë se ai ka armët (përkrenaren dhe dy shpatat e tij) në muzeun e Vjenës edhe një shtatore e shoqëruar me një emër parku të tij, do të ishte një plotësim apo përmbushje. Po ashtu do të ishte mirë nëse do të vendosej afër sheshit Heldenplatz, për t‘iu bashkuar heronjve të tjerë bashkë me personalitetet austriake të kohëve të ndryshme historike”, shprehet Gjon Keka.