Lajme

Britani, greva më e madhe hekurudhore në 30 vjet

Në Britani nisi sot greva më e madhe hekurudhore në 30 vjet pasi dhjetëra mijëra punonjës u larguan nga vendet e punës, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pagat, kushtet e punës dhe sigurinë, ndërsa rrjeti hekurudhor i Britanisë përpiqet të dalë nga vështëritë e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Më shumë se 40,000 punonjësit e hekurudhave që do të hyjnë në grevë sot, të enjten dhe të shtunën u larguan nga qendrat e punës qysh në mëngjes, duke e lënë rrjetin hekurudhor të bllokuar dhe stacionet kryesore të zbrazura. Metroja e Londrës ishte gjithashtu kryesisht e mbyllur për shkak të një greve tjetër.

“Jemi në një pozitë ku nuk mund të përballojmë të sakrifikohen pensionet, kushtet tona, pagat tona, pasi dëmet në ekonomi gjatë pandemisë nuk u shkaktua nga ne. Ne punuam si gjithë të tjerët. Njëlloj si njerëzit që punojnë nga shtëpia ndërsa ne thjesht vazhduam rregullisht punën. Nuk duhet të na takojë ne që të paguajmë çmimin”, thotë Jane Gwynn, punonjëse e hekurudhës.

Nën presionin për të bërë më shumë për të ndihmuar familjet britanike, që po përballen me goditjen më të rëndë ekonomike në dekada, kryeministri Boris Johnson, tha se greva do të dëmtonte bizneset, ndërsa ato vazhdojnë të dalin nga pandemia.

Sindikatat kanë thënë se greva hekurudhore mund të shënojë fillimin e një vale grevash të tjera gjatë verës me mësuesit, mjekët, punëtorët e depozitimit të mbeturinave dhe madje edhe avokatët që po planifikojnë greva pasi rritja e çmimeve të ushqimit dhe karburantit e çoi inflacionin në gati 10%.

Një sondazh i grupit YouGov në fillim të këtij muaji zbuloi se opinioni publik mbi grevat ishte i ndarë, me rreth gjysmën e të anketuarve, që ishin kundër dhe pak më shumë se një e treta që se e mbështesnin atë.

“Nëse janë të pakënaqur, atëherë do të ndërmarrin veprime të tilla. Por padyshim që është një problem kombëtar. Pra, na prek të gjithë. Dhe padyshim që nuk është vetëm industria e tyre, e kujdesit shëndetësor, e të gjithëve. Kështu që është një problem më i madh që duhet parë mendoj jo vetëm në këtë industri”, thotë Duncan Docker, punonjës i burimeve njerëzore nga Londra.

Ekonomia e Britanisë fillimisht u rigjallërua fuqishëm nga pandemia, por një kombinim i mungesës së fuqisë punëtore, ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit, inflacionit dhe problemeve tregtare pas Brexit po sjellin paralajmërime për recesion.

Qeveria thotë se po jep mbështetje shtesë për miliona familje të varfra, por shton se rritja e pagave mbi inflacionin do të dëmtonte themelet e ekonomisë.

Numri i punonjësve britanikë që janë anëtarë të sindikatave është përgjysmuar që nga vitet 1970, pjesërisht për shkak të ndryshimeve të bëra nga ish-kryeministrja konservatore Margaret Thatcher për të kufizuar fuqinë e sindikatave dhe për ta bërë më të vështirë thirrjen e një greve.

Ministri i Transportit Grant Shapps tha se qeveria do të ndryshojë ligjin sa më shpejt të jetë e mundur për të detyruar operatorët e trenave të ofrojnë një shërbim minimal në ditët e grevës dhe të lejojë punëtorët e tjerë të zëvendësojnë përkohësisht ata që janë larguar.

Grevat vijnë pasi udhëtarët në aeroportet britanike përjetojnë vonesa kaotike dhe anulime të minutës së fundit për shkak të mungesës së personelit, ndërsa shumë britanikë duhet të presin me muaj për të marrë pasaporta të reja për shkak të vonesave.

Greva hekurudhore do të thotë se vetëm rreth gjysma e rrjetit hekurudhor të Britanisë do të funksionojë në ditët e grevës me një shërbim shumë të kufizuar dhe ndërprerje të vazhdueshme./Reuters