Lajme

208 km në orë në autostradë: Kosovari arrestohet dhe i merret patentëshoferi

Atij i është marrë patentë shoferi dhe i është konfiskuar automjeti. Duhet të përgjigjet për shkelje të rëndë të rregullave të trafikut

Të dielën në mbrëmje (19 qershor 2022), policia kantonale e Cyrihut nxori nga trafiku një person që kishte tejkaluar ndjeshëm shpejtësinë e lejuar, në autostradën A15, pranë Usterit, njofton Polica Kantonale e Cyrihut në faqen zyrtare të autoriteteve kantonale..

Gjatë patrullimit të tyre, pak para orës 21:30, policët e policisë rrugore vëzhguan një makinë pasagjerësh në A15 pranë Usterit, ztransmeton albinfo.ch. Ajo po lëvizte me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe në drejtim të Brüttisellen-it.

Matjet vijuese të kryera treguan se shoferi po ngiste makinën me shpejtësi deri në 208 km/h në vendin ku lejohej  120 km në orë.

Shoferi, një 43-vjeçar kosovar, është arrestuar dhe është liruar sërish, pasi është marrë në pyetje në polici. Ai duhet të përgjigjet në prokurorinë publike kompetente për shkelje të rëndë e të kualifikuar të rregullave të trafikut, përcjell albinfo.ch. Atij i është marrë patentë shoferi në vend dhe i është konfiskuar automjeti, i cili është në dispozicion të prokurorisë publike.