Lajme

Elina Duni shfaqi dy koncerte të paharruara për publikun në Vjenë

Kishte premtuar koncert magjik në Vjenë, dhe ashtu ndodhi. Për dy net radhazi (3,4 maj) këngëtarja Elina Duni mbajti dy shfaqje koncertale të paharruara për publikun shqiptar dhe miqtë austriakë, shkruan albinfo.at

Disa ditë para se të mbahej koncerti i Elina Dunit, më 4 maj në Vjenë, Këshilli Koordinues kishte njoftuar publikun se të gjitha ulëset ishin rezervuar. Pavarësisht kësaj, adhuruesit e këngëve dhe të zërit të Elinës ia kishin “mësyrë” sallës së Shtëpisë së Kulturës “Sargfabrik” në Vjenë. Ata kishin ndarë mendjen që të jenë pjesë e këtij koncerti. Derisa këngëtarja e famshme e muzikës xhaz po përgatitej të dilte para pulikut, radhët e njerëzve para derës së sallës ishin ende të gjata. Kishte grupe që kishin udhëtuar afro 200 kilometra enkas për këtë koncert. “Kemi ardhur nga Graci. Jemi dhjetë veta. Bashkë me ne, janë edhe disa miq austriakë. Ju lutem, mos na ktheni prapa”, thoshte njëri nga pjesëtarët e grupit, i cili lutej që të gjendet një mundësi për të përcjellë këtë koncert. Organizatorët, Këshilli Koordinues i Shoqatave Shqiptare në Austri, në bashkëpunim me “Sargfabrik” tashmë nuk kishin zgjidhje të tjera, pos të shtonin numrin e karrigeve. As kjo nuk mjaftoi. Salla ishte e vogël për t‘i zënë të gjithë. Një grup vajzash prej tetë vetash kërkonte të qëndronte në këmbë”. “Na mundësoni vetëm të hymë brenda, mund të qëndrojmë edhe në këmbë”, thoshte njëra teksa fliste me organizatorët. Përfundimisht, me apo pa ulëse, të gjithë hynë brenda.

Në shfaqjen e parë, Elina këndoi në tetë gjuhë të ndryshme

Më 3 maj ishte nata e shfaqjes së parë të Elinës në Vjenë. Në shfaqjen e parë, këngëtarja Duni prezantoi projektin e saj solo “Partir”, ku këndoi këngë në tetë gjuhë të ndryshme. Po ashtu, ajo luajti me piano, kitarë dhe perkusion. Pavarësisht se ky koncert më shumë i dedikohej audiencës austriake, nuk munguan këngë të përzgjedhura shqipe.

Nata e dytë frymoi gjithçka shqip

Për dallim nga shfaqja e parë, në natën e dytë, më 4 maj, këngëtares Duni iu bashkuan edhe kitaristi Rob Luft, pianisti e bateristi Fred Thomas, të dy muzikantë të shkëlqyer londinezë, të cilët kanë punuar në albumin e saj të fundit “Lost Ships”. Si mysafirë special ishte i ftuar edhe muzikanti Kejdi Barbullushi. Në këtë koncert, numri më i madh i publikut ishte me bashkëkombës shqiptarë.

E veshur me fustan kuq e zi dhe me këngë shqipe, Elina që në paraqitjen e parë ndezi atmosferën të publiku. Për gjatë tri orësh sa zgjati koncerti, këngëtarja Duni këndoi këngë nga albumet e saj të frymëzuar nga folklori shqiptar. Nuk munguan këngë të pavdekshme nga Muharrem Qena, Qamili i vogël, Nexhmije Pagaruasha e shumë të tjera nga të gjitha trevat shqiptare, të përpunuara me mjeshtri me melodi të xhezit. Pas përfundimit të secilës këngë, pasonte duartrokitje frenetike nga publiku në sallë. Njëjtë ndodhi edhe në fund të koncertit, ku duartrokitjet e publikut nuk kishin së ndaluri derisa jo vetëm që e rikthyen sërish në skenë këngëtaren, por Elina këndoi edhe një këngë tjetër për mikpritjen dhe dashurinë që publiku ia fali gjatë këtyre dy mbrëmjeve artistike.

 

Elina: E përmbushëm premtimin

Një koncert i Elina Dunit, i organizuar nga Këshilli Koordinues ishte planifikuar të mbahej në Vjenë, me rastin e Festës Kombëtare, më 29 nëntor 2021, por fatkeqësisht për shkak të masave ndaj kovidit në Austri, koncerti u anulua pak ditë para se të mbahej. Por, tashmë pas disa muajsh, koncerti u realizua edhe pse në një formë tjetër. “Jam shumë e lumtur që më në fund e realizuam koncertin. Madje tashmë jo një shfaqje, por publiku pati mundësi të na përcjellë dy shfaqje. Ishin dy mbrëmje të mrekullueshme. I falënderoj të gjithë të pranishmit për duartrokitjet dhe mikpritjen që ma bën”, tha Elina pas koncertit për albinfo.at.

Të kënaqur me paraqitjen e Elinës dhe atmosferën e krijuar ishin edhe organizatorët. “U kënaqëm të gjithë. Ishin dy mbrëmje të paharruara, që vetëm një këngëtare si Elina Duni di të na dhurojë”, tha Kaltrina Durmishi nga Këshilli Koordinues.

Anëtarët e Këshillit Koordinues kanë premtuar që edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të organizojnë evente kulturore me artistë të mirënjohur vendas, duke promovuar dhe ruajtur gjithmonë kulturën shqiptare.

 

Partner medial i dy shfaqjeve ishte albinfo.at.

Fotot u realizuan nga: Egzon Marku