Kuriozitete
Musk parajmëron ulje të pagave në Twitter
Gjithashtu, ai premtoi se do të zhvillonte metoda të reja për të fituar para nga tweet-et.
Elon Musk u tha bankave që e ndihmuan atë për të financuar blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter Inc. se ai mund të reduktonte pagat e drejtuesve ekzekutivë dhe të anëtarëve të bordit të kompanisë së medias sociale, në një përpjekje për të ulur kostot.
Musk e bëri këtë ofertë për huadhënësit në vijim të përpjekjeve për të siguruar borxhin për blerjen e Twitter, pasi dorëzoi ofertën më 14 prill. Sigurimi i këtyre zotimeve bankare më 21 prill ishte çelësi që bordi i Twitter të pranonte ofertën e tij “më të mirë dhe përfundimtare”.
Musk duhej të bindte bankat se Twitter gjeneron një fluks të mjaftueshëm parash për të justifikuar borxhin që ai po kërkonte. Në fund, ai arriti të siguronte një kredi prej 13 miliardë dollarësh nga garancitë e kompanisë Twitter dhe një hua tjetër prej 12.5 miliardë dollarësh nga aksionet e tij të Tesla Inc. Pjesa e mbetur e shumës së blerjes u pagua nga të ardhurat personale të Musk.
Oferta e Musk për bankat paraqiste më tepër vizionin e tij sesa angazhime strikte, sipas burimeve. Reduktimet e sakta të kostove që ai do të zbatojë pasi të marrë në zotërim Twitter mbeten të paqarta. Plani që ai paraqiti para bankave nuk përmbante shumë detaje, shtuan burimet.
Musk ka bërë një tweet për eliminimin e pagave të drejtorëve të bordit të Twitter, gjë që sipas tij mund të reduktojë kostot me rreth 3 milionë dollarë. Kompensimi i bazuar në aksione i Twitter për vitin 2021 ishte 630 milionë dollarë, duke shënuar një rritje prej 33% nga viti 2020, sipas dokumenteve të korporatës.
Në propozimin e tij për bankat, Musk theksoi gjithashtu marzhin bruto të Twitter, i cili është shumë më i ulët se konkurrentët si Facebook dhe Pinterest, duke argumentuar se kjo lë shumë hapësirë për ta drejtuar kompaninë në një mënyrë më efikase.
Bloomberg News raportoi të enjten se Musk përmendi në mënyrë specifike shkurtimin e vendeve të punës si pjesë të propozimit të tij për bankat. Një nga burimet tha se Musk nuk do të marrë ndonjë vendim për shkurtimin e vendeve të punës, derisa të marrë plotësisht në zotërim kompaninë më vonë gjatë këtij viti. Ai vijoi me blerjen e kompanisë pa pasur akses në detajet konfidenciale mbi ecurinë financiare të kompanisë dhe numrin e punonjësve.
Musk u tha bankave se ai gjithashtu planifikon të zhvillojë veçori të reja për të rritur të ardhurat e biznesit, duke përfshirë mënyra të tjera për të fituar para nga tweet-et që përmbajnë informacione të rëndësishme ose që bëhen virale, thanë burimet.
Disa nga idetë që ai propozoi përfshinin aplikimin e një tarife kur një faqe interneti e një pale të tretë dëshiron të citojë ose të vendosë një tweet të bërë nga individë ose organizata të verifikuara.
Në një postim në Twitter në fillim të këtij muaji që ai e fshiu më pas, Musk sugjeroi një sërë ndryshimesh në shërbimin e abonimit premium të gjigantit të mediave sociale, Twitter Blue, duke përfshirë uljen e çmimit të këtij abonimi, ndalimin e reklamave dhe ofrimin e një opsioni për të paguar në kriptomonedhën dogecoin. Shërbimi premium Blue i Twitter tani kushton 2,99 dollarë në muaj.
Në një postim tjetër që ai përsëri e fshiu, Musk tha se synon të zvogëlojë varësinë e Twitter nga reklamat për pjesën më të madhe të të ardhurave të tij.
Musk, pasuria neto e të cilit është 246 miliardë dollarë sipas Forbes, ka lënë të kuptohet se do të mbështesë bankat në marketingun e borxhit të përbashkët ndaj investitorëve dhe se kështu ai mund të zbulojë më shumë detaje të planit të tij të biznesit për Twitter.
Sipas burimeve, Musk ka menduar gjithashtu për një shef të ri ekzekutiv për Twitter. Në fillim të këtij muaji, ai i tha kryetarit të Twitter-it, Bret Taylor, se nuk ka besim te menaxherët e kompanisë me bazë në San Francisko. Parag Agrawal, i cili u emërua shef ekzekutiv i Twitter në nëntor, pritet të qëndrojë në detyrë derisa të përfundojë shitja e kompanisë te Musk.
Musk ka marrë shumë oferta nga partnerë potencialë që duan të bashkohen me të në marrëveshjen me Twitter, por ai do të vendosë në javët e ardhshme nëse do të zgjedhë të bashkohet me një partner tjetër, sipas njërit prej burimeve. Gjasat që Musk të bashkëpunojë me një firmë të kapitalit privat janë të pakta, duke pasur parasysh se marrëveshja nuk është strukturuar si një blerje tradicionale që përdor fonde të marra hua.
Musk zbuloi këtë javë se ai shiti 8.5 miliardë dollarë aksione të Tesla-s, një lëvizje që ka të ngjarë të ketë ndihmuar në financimin e marrëveshjes së tij për blerjen e Twitter.
Shefi ekzekutiv i Tesla-s u tha gjithashtu bankave se do të kërkojë ndjekjen e politikave të moderuara në platformën e mediave sociale, të cilat janë sa më të lira që është e mundur, brenda kufizimeve ligjore të çdo juridiksioni ku Twitter operon, një pozicion ky që është përsëritur publikisht prej tij.
Huaja prej 13 miliardë dollarësh e Twitter-it është shtatë herë më e madhe se fitimet e parashikuara të kompanisë për vitin 2022 para interesit, taksave dhe amortizimit. Kjo ishte shumë e rrezikshme për disa banka që vendosën të merrnin pjesë në këtë financim vetëm pas sigurimit të një garancie si kolateral, thanë burimet.
Një tjetër arsye që disa banka nuk u bënë pjesë e këtij financimi ishte fakti që ato i druheshin paparashikueshmërisë së Musk, e cila mund të sillte një eksod të talenteve nga Twitter, duke dëmtuar kështu këtë biznes. / Reuters
Të tjera nga Kuriozitete
E-Diaspora
-
Vjenë
Një jetë kushtuar violinës Valbona Naku, violiniste profesioniste me famë botërore...
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor