Lajme

Dy ambasadorët shqiptarë në Austri, takohen me kryetarin e Bashkisë së qytetit Linz

Bashkëpunim i frutshëm në nivelin e pushtetit lokal.

Bëhet e ditur se ambasadori Roland Bimo, së bashku me kolegun dhe mikun e vlerësuar, Ambasadorin e Kosovës, z. Lulzim Pllana, kryen një vizitë pune me Kryetarin e Bashkisë të qytetit Linz, z. Klaus Luger, përcjell albinfo.at.

Së bashku, si Kosova dhe Shqipëria i shprehin z. Klaus Luger falënderime e mirënjohje për mikpritjen, por më shumë akoma për atmosferën akomoduese, miqësore e mikpritëse për shumë prej bashkatdhetarëve tanë që kanë gjetur shtëpinë dhe atdheun e tyre të dytë në Austrinë e Sipërme.

Ambasadori Pllana shprehu kënaqësinë e veçantë për stadin aktual të bashkëpunimit ndërmjet Bashkisë së Qyteti Linz dhe komunave e qyteteve në Kosovë dhe vullnetin e tij dhe të autoriteteve në Kosovë për të punuar me përkushtim për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Ai shprehu besimin se avancimi i dukshëm i Kosovës në fushën e digjitalizimit do të gjejë partneritet me Qytetin e Linzit.

Ambasadori Roland Bimo u angazhua për të nxitur fillimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkive të disa qyteteve në Shqipëri me Qytetin e Linz-it, ku interesi është i dukshëm.

Kryebashkiaku, z. Klaus Luger u shpreh i gatshëm për çdo formë bashkëpunimi që preferohet nga Shqipëria, si përmes Memorandumeve të Mirëkuptimit, Protokolleve të Bashkëpunimit, ashtu edhe projekteve konkrete të bashkëpunimit me qytetet shqiptare në fushat me interes reciprok.

I pranishëm në takim ishte aktivisti i dalluar i Diasporës shqiptare, z. Adnan Abdullahu, këshilltar në Bashkinë e Qytetit Linz për çështjet e integrimit.