Lajme

Austri: Banesat, rryma dhe ushqimet kanë shënuar rritje rekorde

Inflacioni në Austri u rrit në një shifër rekorde prej 6.8 për qind në muajin mars. Kjo është shifra më e lartë që nga nëntori 1981.

“Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, jeta në Austri është shtrenjtuar aq shumë sa që nuk ishte prej më shume se 40 vjetëve më parë: Norma e inflacionit ishte 6.8 për qind në mars të vitit 2022. Herën e fundit po kaq i lartë inflacioni ishte në nëntor të vitit 1981, atëbotë 7.0 për qind. Faktori vendimtar pas rritjes së çmimeve në mars ishte rritja e çmimit të karburantit, i cili më parë kishte qenë një nxitës i fortë i çmimeve. Edhe çmimet për energjinë shtëpiake kanë vazhduar të rriten, veçanërisht çmimet e naftës për ngrohje, të cilat janë dyfishuar me 118,5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar”, thotë drejtori i përgjithshëm i Statistikave të Austrisë, Tobias Thomas, përcjell albinfo.at.

Çmimet e karburantit

Sipas heute.at bazuar në Statistikat e Austrisë, rritja e çmimeve të transportit (mesatarisht +15,9 për qind) ndikoi në normën e inflacionit me +2,15 për qind, e cila ishte dukshëm më e lartë se në muajin shkurt (+10,6 për qind). Veturat e përdorura u bënë papritur 16.1 për qind më të shtrenjta, kurse ato të rejat shënuan rritje prej 6.8 për qind. Ka pasur edhe ulje, si biletat e fluturimit (-3.5 për qind), transmeton albinfo.at.

Energjia, uji, banimi

Mesatarisht, uji, banesa dhe energjia kushtojnë 9.7 për qind më shtrenjtë. Edhe çmimet e naftës për ngrohje prej +118.5 për qind janë rritur masivisht. Çmimet e gazit (mars: +71,9 për qind) dhe kostoja e energjisë elektrike (mars: +16,5 për qind) u rritën ndjeshëm.

Çmimet për ngrohje qendrore janë rritur me 12,2 për qind dhe për lëndët djegëse të ngurta me 14,4 për qind. Hotelet dhe restorantet gjithashtu rritën çmimet e tyre me rreth 6.6 për qind.

Shtrenjtohen edhe produktet ushqimore

Pijet joalkoolike dhe ushqimet janë shtrenjtuar për 5.8 për qind, pak më shumë se në shkurt (+4.3 për qind). Kjo ishte kryesisht për shkak të ushqimeve më të shtrenjta (mars: +5.4 për qind). Çmimet e produkteve të drithit dhe bukës u rritën me 7,2 për qind, perimet me 9,0 për qind, mishi me 4,1 për qind dhe pijet joalkoolike me +9,8 për qind. Çmimet e kafesë në veçanti u rritën ndjeshëm (mars: +12.3 për qind)

Veshjet dhe këpucët, nga ana tjetër, kanë mbetur të qëndrueshme (+0,1 për qind).