Lajme

Si pasojë e luftës në Ukrainë, rriten çmimet e ushqimeve në Austri

Austria po përballet me rritje çmimi për grupe të caktuara artikujsh dhe produkte të caktuara

Lufta në Ukrainë nisi një ortek rritje të çmimeve në Austri, ndaj pas rritjes së çmimeve të energjisë ishte e pashmangshme që do të rriteshin edhe çmimet e ushqimeve, paralajmërojnë tregtarët

“Ne po punojmë kundër kësaj, por nuk mund të përjashtojmë një valë tjetër rritjeje të çmimeve”, ka thënë për mediat në Austri, kryetari i Shoqatës Tregtare Austriake, Rainer Will, përcjell albinfo.at

Will shpjegoi se deri më tani rritja e çmimeve të ushqimeve mund të ishte zbutur sepse tregtarët po blejnë produkte rajonale.

Por operacionet në Ukrainë, shtoi ai, reflektohen kryesisht në produktet e grurit.

Rrjeti gjerman i shitjes me pakicë “REWE”, i cili ka disa degë në Austri, njoftoi një rritje çmimi për grupe të caktuara artikujsh dhe produkte të caktuara.

“Aktualisht jemi përballur me rritje të kostove të lëndëve të para, energjisë dhe logjistikës si dhe rritje të çmimeve në industrinë ushqimore”, thuhet në një prononcim nga REWE Group, duke shpjeguar rritjen e paralajmëruar të çmimeve, transmeton albinfo.at

Rritja e parë e çmimeve të ushqimeve prej rreth 4.3 për qind pasoi në muajin shkurt.

Madje gjalpi është rritur me 22 për qind javët e fundit, kosi i frutave me 16,4 për qind, çokollata me 15,8 për qind, vajrat dhe yndyrat me 12,9 për qind, birra me 12,4 për qind, lëngjet me 9,6 për qind dhe perimet me 6,8 për qind, kafeja me 6 për qind. buka me 5.9 për qind, mishi, djathi, qumështi dhe vezët me rreth tre për qind.