Lajme

Kompanitë zvicerane kanë frikë nga shtrëngimi i luftës në Ukrainë

Sektori industrial zviceran, veçanërisht kompanitë kimike, inxhinierike dhe të prodhimit të ushqimit, tashmë po ndjejnë efektet e rritjes së kostove të lëndëve të para dhe pengesave logjistike të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës, përcjell albinfo.ch.

Çdo e dyta firmë zvicerane po ndjen ndikimin e luftës, sipas një sondazhi të 306 kompanive të kryer nga Federata Zvicerane e Biznesit (economiesuisse) këtë muaj.

Shqetësimet kryesore janë rritja e çmimeve të energjisë, rritja e kostos së një sërë lëndësh të para dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit që po vonojnë dërgesat e materialeve thelbësore për prodhimin industrial. Kjo do të rezultojë në përshkallëzim të çmimeve për një sërë mallrash të konsumit, paralajmëron economiesuisse.

“Për shembull, industria kimike përdor lëndë të para për të prodhuar produkte që përdoren në jetën tonë të përditshme – nga plastika te plehrat. Pajisjet elektronike, makinat ose mallrat sportive, si biçikletat dhe biçikletat elektronike, mund të bëhen më të shtrenjta, por po ashtu edhe shumë sende ushqimore”, tha grupi i lobit në një raport, përcjell tutje albinfo.ch.